
39-vjeçari shqiptar Eduard Vushaj është ekstraduar nga Greqia, pasi rezulton i dënuar me 16 vite burgim për vjedhje me armë, kryer në bashkëpunim.
“Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet strukturave të Interpol Tiranës dhe strukturave të Interpol Athinës, u finalizua procedura për ekstradimin nga Greqia, në Shqipëri, të shtetasit Eduard Vushaj, 39 vjeç, të lindur në Shkodër.
Ky shtetas kërkohej ndërkombëtarisht, sepse në vitin 2016, Gjykata e Shkodrës e ka dënuar me 16 vjet burgim, për veprën penale “Vjedhja me armë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në vitin 2013, në fshatin Grabom, 38-vjeçari, në bashkëpunim me një person tjetër, ka ndaluar automjetin me të cilin lëviznin 2 persona, të cilëve, duke i kanosur me armë, iu kanë marrë paratë dhe automjetin. Gjithashtu, i ka plagosur të dy, me mjet prerës (thikë).
Top Channel