
Në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, mjekët specialistë në Korçë ngrenë alarmin për një rritje të ndjeshme të numrit të personave që përballen me probleme të shëndetit mendor, krahasuar me vitet e kaluara.
Sipas të dhënave, çdo ditë 10 deri në 15 persona paraqiten për trajtim në qendrën e kujdesit të shëndetit mendor në Korçë, ndërsa është vërejtur një ulje e moshës së individëve që shfaqin këto probleme. Gjithnjë e më shpesh, të rinjtë dhe adoleshentët po përballen me ankth, depresion apo çrregullime të tjera emocionale, të cilat shpesh nisin me probleme sjelljeje që në fëmijëri.
Specialistët theksojnë se faktorët ekonomikë dhe socialë janë ndër shkaqet kryesore të përkeqësimit të shëndetit mendor. Vështirësitë ekonomike, por edhe emigracioni që ka shkaktuar ndarje familjare, si dhe përdorimi i tepruar i teknologjisë, janë kthyer në burime të reja stresi dhe izolimi.
Në këtë ditë ndërgjegjësimi, mjekët apelojnë për më shumë kujdes ndaj shëndetit mendor dhe për ndërhyrje të hershme, pasi trajtimi në kohë është çelësi për të parandaluar fatalitetet.
Top Channel