
Ndërkohë që në Gjykatën e Fierit vijon bojkoti i seancave pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku humbi jetën tragjikisht gjyqtari Astrit Kalaja, avokatët atje janë të frikësuar.
Ata kujtojnë se rasti i parë në vend ku një gjyqtar sulmohet në sallën e gjyqit ka ndodhur pikërisht në Fier.
Nga të shtënat brenda sallës së gjyqit prej një personi të përfshirë në proces civil, mbeti e plagosur gjyqtarja Irena Maneku Gjoka.
Ngjarja bëri që për herë të parë në një gjykatë në vend të vendosej roje sigurie dhe detektorë të metaleve.
Avokati thotë se pavarësisht kontrollit, në këtë gjykatë ka mangësi në standardet e sigurisë.
Me 21 gjyqtarë dhe mbulimin e një popullsie prej 300 mijë banorësh, gjykata e Fierit ka vetëm 5 salla gjyqesh, dhoma këshillimi dhe me hapësira ku më e madhja nuk i kalon 5 metra katrorë.
Mbingarkesa pas hartës së re gjyqësore dhe mungesa e hapësirave për zhvillimin e gjyqeve, cënon sigurinë e magjistratëve sipas avokatit që thekson se Fierit i duhet një godinë e re gjyqësore.
Top Channel