
Menjëherë pasi Gjykata Kushtetuese pezulloi dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve në Tiranë më 9 nëntor, reagoi Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili tha se do ta respektojë vendimin.
“Institucioni i Presidentit të Republikës respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e pjesës që përcakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë e Tiranës të dekretit me nr.350, datë 01.10.2025”, reagoi presidenti.
Por, nga tjetër, Partia Socialiste shpreh bindjen se Tirana do të zgjedhë drejtuesin e saj më 9 nëntor, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar dekretin e Presidentit Bajram Begaj.
Strukturat e Partisë Socialiste janë udhëzuar të vazhdojnë përgatitjet për zgjedhjet në kryeqytet, pavarësisht vendimit të Kushtetueses.
Top Channel ka mësuar se strukturave socialiste iu është shpërndarë një mesazh, ku thuhet se vendimi nuk i prek zgjedhjet e 9 nëntorit.
“Sikurse u theksua edhe mbrëmë, vendimi i sotëm nuk i prek zgjedhjet e 9 nëntorit. Vendimi përfundimtar i Gjykatës do të jepet më 31 tetor”, reagoi PS.
Por, sa mundësi ka që Tirana të votojë më 9 nëntor? Për juristin Jordan Daci një gjë e tillë nuk mund të ndodhë, pasi vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë absolute.
Edhe për ish-kreun e KQZ-së, Kristaq Kume, pas vendimit të Kushtetueses nuk mund të ketë zgjedhje në Tiranë më 9 nëntor.
“Pezullimi i pjesshëm i dekretit do të thotë që në 9 nëntor nuk do të bëhen zgjedhje në Tiranë. Efekt direkt i këtij pezullimi është ndalimi që i bëhet KQZ për të vazhduar punët për përgatitjen e zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës”, u shpreh Kristaq Kume, ish-kreu i KQZ.
Dekreti i Presidentit Begaj për të zhvilluar zgjedhjet në Tiranë më 9 nëntor u ankimua në Gjykatën Kushtetuese nga Erion Veliaj, pas shkarkimit të tij nga qeveria.
Top Channel