“Paganini” në Tiranë/ Këtë të enjte shfaqja e violinistit italian Giuseppe Gibboni

09/10/2025 15:26

Violinisti i njohur italian Giuseppe Gibboni, fitues i çmimit prestigjioz Paganini në vitin 2021, ngjitet këtë të enjte në mbrëmje në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, për t’i dhuruar publikut shqiptar një koncert simfonik me një virtuozitet që ndërthur pasionin me perfeksionin teknik.

“Është hera e parë që vij në Tiranë. Besoj do të jetë e mrekullueshme, sepse kam shumë miq muzikantë nga Shqipëria, që më përcjellin një sinergji të jashtëzakonshme. Shoh interesin e tyre në rritje për muzikën, veçanërisht për muzikën klasike dhe kjo më lumturon”, thotë Gibboni.

Gibboni do të mbushë skenën me melodi që frymojnë traditë nga Paganini, Rachmaninov, Stravinsky & Rimsky-Korsakov.

“Do të luajmë La Campanella të Paganinit, është një nga pjesët më të famshme të Paganinit. Niccolò Paganini ishte një virtuoz i madh që ndryshoi plotësisht teknikën e violinës”, thotë violinisti i mirënjohur.

Kjo mbrëmje magjike bën bashkë Orkestrën Simfonike të TKOBAP-së me Orkestrën e Forcave të Armatosura, nën drejtimin e Maestro Sergio Alapont.

Pas kësaj mbrëmjeje, e gjithë trupa artistike me koncertin “Giuseppe Gibboni” do të udhëtojë drejt Festivalit Respighi Bologna 2025, në një ndër festivalet muzikorë më të rëndësishëm në Europë.

Dirigjenti Sergio Alapont thotë: “Është një ndërmarrje shumë e vështirë, pasi na duhet që përveç 80 muzikantëve, të zhvendosim të gjitha instrumentet, por jemi shumë entuziastë për këtë rrugëtim të ri, pjesë e të cilët edhe një ndër violinistët më të mirë aktualisht në botë”.

Ky debutim shënon një moment historik për orkestrën shqiptare, duke rritur praninë e saj në skenat simfonike europiane.

Top Channel