
Nën masa të larta sigurie, mesditën e kësaj të enjte, në Porto Romano të Durrësit kanë mbërritur ekspertët e specializuar për marrjen e kampionëve nga mbetjet e dyshuara toksike në 102 kontejnerët e sekuestruar nga prokuroria e Durrësit.
Gjatë këtyre ditëve, mostrat do të merren nga kontejnerë të ndryshëm, për t’u dërguar më pas në një laborator të specializuar jashtë vendit. Ato do t’i nënshtrohen analizave që do të përcaktojnë toksicitetin e tyre dhe çfarë do të bëhen më tej, trajtimi apo asgjësimi i tyre.
Ndërkohë që nga analizat pritet të përcaktohet nëse këto mbetje janë të dëmshme për mjedisin dhe shëndetin publik.
Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se procesi po zhvillohet me kujdes maksimal, pasi dyshohet se për shkak të qëndrimit të gjatë, mbetjet mund të jenë ngurtësuar, duke e bërë marrjen e kampionëve më të ndërlikuar. I gjithë operacioni po dokumentohet me video, për të garantuar transparencën dhe sigurinë e procedurës. Mostrat e marra nga mbetjet do të dërgohen në një laborator në Itali, me qëllim përcaktimin e përbërjes dhe nivelit të mundshëm të toksicitetit.
Rreth 2100 tonë mbetje nga furnaltat e ish-metalurgjikut të Elbasanit u refuzuan nga autoritetet tajlandeze pas alarmit të dhënë nga një organizatë mjedisore amerikane dhe u depozituan në nëntor të vitit të kaluar në periferi të Durrësit. Agjencia e Administrimit të Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara i mori në dorëzim kontejnerët duke siguruar infrastrukturën e nevojshme për ruajtjen e tyre, ndërkohë që prokuroria vijonte punën për gjetjen e një laboratori të specializuar për to.
Top Channel