Live/ Pezullohen zgjedhjet lokale në Tiranë, Kushtetuesja “ngrin” dekretin e Begaj. Presidenti: E respektojmë vendimin. Reagojnë PD e PS. Ja çfarë ndodh me “9 Nëntorin”

09/10/2025 23:00

Gjykata kushtetuese ngrin dekretin e presidentit Bajram Begaj që vendosi datën 9 nëntor si ditën kur do të mbahen zgjedhjet lokale për bashkinë e kryeqytetit.

Zyrtarisht kjo gjykatë tha se vendimi u mor njëzëri dhe se padia e ish kryebashkiakut Erjon Veliaj kalon në seancë plenare publike që do të mbahet në datën 31 tetor.

Vendimi i pezullimit të dekretit të  presidentit Begaj do të thotë se për Tiranën gjykata kushtetuese urdhëron të mos ketë zgjedhje lokale, ndërkohë që më herët avokatët e Veliaj e konsideruan shkelje të rëndë kushtetuese dekretimin e datës së zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës përsa kohë sipas mbrojtjes e trajtoi shkarkimin e Veliajt si një çështje administrative, duke prodhuar sipas tyre një akti juridik të pavlefshëm.

Po në kushtetuese Erjon Veliaj ka kundërshtuar edhe shkarkimin nga detyra e kryetarit të bashkisë së Tiranës, që nuk u paraqit në detyrë siç thotë ai për shkak të pamundësisë sepse është i paraburgosur. Mbas kësaj padie avokatët shtuan edhe një pikë tjetër, ku kërkohej pezullim i dekretit derisa gjykata të shprehet për tërësinë e çështjes në themel.

Në një dosje me 30 të pandehur, Erjon Veliaj akuzohet nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash , ndërkohë që çështja është në seancë paraprake.

18:24 Zbardhet arsyetimi i Gjykatës Kushtetuese, arsyet se përse u pezullua dekretimi i zgjedhjeve për Tiranën nga Presidenca, GJK: Do të sillte pasoja për…

Është botuar në Fletor Zyrtare vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ku arsyetohet se përse është marrë vendimi për pezullimin e dekretit të Presidentit Bajram Begaj për mbajtjen e zgjedhje në Tiranë, në 9 nëntor.

Në arsyetimin e saj, Gjykata thekson se pas shqyrtimit të animimit të bërë nga Erion Veliaj, se në vlerësimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve zbatimi i dekretit të Presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve vendore vetëm për Bashkinë e Tiranës, do të sillte pasoja të pariparueshme në drejtim të të drejtave të të zgjedhurit vendor (Erion Veliaj), për sa kohë çështja gjyqësore për shkarkimin e tij është ende në shqyrtim.

17:33 Kushtetuesja ngriu dekretimin e zgjedhjeve në Tiranë, reagon Presidenca

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e dekretimit të datës 9 nëntor për zgjedhjet në Tiranë, reagon zyra e Presidentit Bajram Begaj.

Në një njoftim për mediat, Presidenca deklaron se Institucioni i Presidentit të Republikës respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Në përgjigje të interesit të mediave, ju bëjmë me dije se Institucioni i Presidentit të Republikës respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e pjesës që përcakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë e Tiranës të dekretit me nr.350, datë 01.10.2025”, thuhet në deklaratë.

7:19 Kushtetuesja ngriu zgjedhjet për Tiranën, reagon Florjan Binaj: Kurdo që të caktohet votimi, ne do të marrim pjesë

Kandidati i opozitës, Florjan Binaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar votimin në Tiranë në 9 nëntor.

Në një reagim në rrjetet sociale, ai shprehet se kurdo që të caktohen zgjedhjet për Tiranën, do të marrë pjesë në garën zgjedhore.

“Miqtë e mi, Zgjedhjet e pritshme në Tiranë janë vetëm hapi i parë në rrugën e gjatë që po nisim. Kurdo që të caktohet votimi, ne do të marrim pjesë me vizionin dhe vullnetin tonë për ndryshim.

16:50 Kushtetuesja pezulloi zgjedhjet në Tiranë, reagon PS: Vendimi nuk prek… 

Partia Socialiste ka reaguar në lidhje me pezullimin e dekretit të presidentit Bajram Begaj, që vendosi datën 9 nëntor si ditën kur do të mbahen zgjedhjet lokale për bashkinë e kryeqytetit.

Në mesazh thuhet se vendimi nuk i prek zgjedhjet që do të mbahen, teksa shton se më 31 tetor pritet të merret vendimi përfundimtar.

“Sikurse u theksua edhe mbrëmë, vendimi i sotëm nuk i prek zgjedhjet e 9 nëntorit. Vendimi përfundimtar i Gjykatës do të jepet më 31 tetor”, thuhet në mesazhin e shpërndarë në degët e PS në Tiranë.

16:11 Pezullimi i zgjedhjeve në Tiranë, zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ngrirjen e dekretit të Begajt

Është zbardhur vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila ngriu dekretin e presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit në bashkinë e Tiranës.

 15:13 Pezullimi i zgjedhjeve në Tiranë, Berisha: Përshëndes vendimin e Gjykatës Kushtetuese, akt i rëndësishëm

Sali Berisha ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që pezulloi dekretin e presidentit Bajram Begaj që vendosi datën 9 nëntor si ditën kur do të mbahen zgjedhjet lokale për bashkinë e kryeqytetit.

Në një deklaratë për gazetarët, Berisha tha se vendimi i sotshëm është një akt të një rëndësie të madhe në mbrojtje të kushtetutës së vendit, në mbrojtje të kushtutetueshmërisë së rendit.

Top Channel