
Skydagger RTF është një dron “i gatshëm për fluturim”, shpesh edhe dron luftarak, i pajisur me një mjet shpërthyes për përdorim kundër shënjestrave të palëvizshme por edhe atyre më të vështira në lëvizje. Ai ka gjithashtu aftësi të tjera si vëzhgimi dhe kërkim-shpëtimi.
Ekspertët thonë se ai i ka të gjithë përbërësit e nevojshëm, përfshirë një transmetues radioje e një marrës dhe bateritë, çka e bën menjëherë të gatshëm për fluturim sapo të blihet. Skydagger mund të fluturojë me një shpejtësi prej 130km në orë në largësi maksimale deri në 10 kilometra. Në shtator, FSK-së i mbërrin edhe dronë të blerë nga Shtetet e Bashkuara – modeli RQ-20 Puma LE.
Forca e Sigurisë së Kosovës është aktualisht në proces transformimi për shndërrimin e plotë në ushtri. Procesi që nisi në vitin 2018, pas miratimit të disa ndryshimeve ligjore, pritet të zgjasë dhjetë vjet. E pyetur më herët nga REL, zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, Liridona Gashi, edhe pse nuk pranoi të fliste me shifra ekzakte, e theksoi se qeveria aktuale ka investuar këtë vit për armatim shumë herë më tepër sa në të kaluarën.
Në gusht, FSK-ja u pajis edhe me automjete të blinduara, të blera nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa vitin e kaluar bëri kërkesë për të blerë edhe 200 raketa antitank, Javelin. Në 2023-shin ndërkohë, Kosova ka blerë edhe flotë dronësh turq Bayraktar.
Top Channel