
Në një prej sallave të saj me dyer të mbyllura gjyqtarja Marinela Osmani dha masën e sigurisë për 3 personat e arrestuar për vrasjen e kolegut të saj Astrit Kalaja.
Për shkak të klimës së krijuar gjykata u rrethua nga forca policie teksa jashtë saj qëndronin dhjetëra familje të Elvis e Gjon Shkambit.
Ndryshe nga qëndrimi pak minuta pas vrasjes teksa qëndronte i qetë në oborrin e gjykatës së apelit, në kafazin e qelqtë para gjyqtares Osmani 30-vjeçari Elvis Shkambi u shfaq i penduar dhe nisi fjalën e tij me një ndjesë për familjen e gjyqtarit kalaja, të cilit i mori jetën duke e qëlluar me 3 plumba pistolete.
“Ndihem thellësisht i penduar. I kërkoj falje publike familjarëve të gjyqtarit Kalaja. Dhe familjes Kurtaj i kërkoj falje. Nuk e kisha planifikuar vrasjen. Ndodhi në kushtet e tronditjes psikike nga kalvari i gjatë i gjyqeve që kemi pasur prej viteve për pronën tonë në Shkodër. Gjykata nuk e ka zgjidhur çështjen ndër vite, institucionet nuk kanë bërë detyrën. Armë kam pasur me vete shumë herë se kam punuar në disa institucione sigurie”.
Në të njëjtën linjë dëshmoi edhe Gjon Shkambi, i cili pavarësisht se nuk e shkrehu ai armën nga policia dhe prokuroria akuzohet si nxitës i kësaj vrasje.
“Unë nuk kam pasur dijeni që nipi do të qëllonte. Jam shprehur i revoltuar shumë herë me personat që më kanë zaptuar pronën por nuk e kam menduar vrasjen. Për gjyqtarin që u vra më vjen keq dhe i kërkoj falje familjes së tij”.
Sipas avokatit mbrojtës të Elvis dhe Gjon Shkambi, Kujtim Ibro, gjyqi për pronën ka qenë aq i gjatë sa e ka zhytur këtë familje në borxhe.
“Ka vuajtur shumë sa i takon çështjeve civile, ka hyrë në shumë borxhe për shkak të një kalvari të gjatë. Tronditja ka qenë për shkak të vendimit të dhënë, duke qenë se do rikthehej edhe njëherë çështja në fillim. Arma nuk ka qenë me leje, pro shkëmbi pretendon se ka punuar në disa institucione”.
Në të njëjtin kafaz të xhamtë të gjykatës këtë mëngjes u njoh me seancën e sigurisë edhe roja i sigurisë Banush Koxhaj i cili akuzohet për shpërdorim detyre pasi nuk reagoi kur detektori dha sinjal për sende të ndaluara. Sipas tij në ato momente ai kishte probleme shëndetësore për të cilat kishte njoftuar edhe kancelarin.
“Kam qenë i sëmurë. Para se të kalonin palët në skaner, unë kam lajmëruar kancelaren se nuk ndihesha mirë, pasi vuaj nga diabeti. Një orë më pas, kancelaria më dha leje për t’u larguar, por nuk jam zëvendësuar në detyrën time.”
Pavarësisht pretendimeve të të arrestuarve gjykata i ka lënë të tre në masën arrest me burg deri në përfundim të hetimeve.
Top Channel