
Nga Dr. Klodian Rado
Këto ditë janë nga ditët më të zeza në historinë e drejtësisë shqiptare. Për herë të parë në më shumë se një shekull shtet shqiptar, një gjyqtar u vra brenda sallës së gjyqit, aty ku ligji duhet të jetë më i fortë se çdo pasion, ku fjala e drejtësisë duhet të dëgjohet mbi çdo britmë. Gjyqtari i Apelit Astrit Kalaja u qëllua menjëherë pas dhënies së vendimit, pikërisht për shkak të vendimmarrjes së tij. Ky akt makabër nuk është vetëm vrasja e një njeriu, është goditja më e rëndë ndaj shtetit, plagosja e vetë drejtësisë, dhe shenjë e sëmundjes morale që ka përpirë thellë shoqërinë tonë.
Ky është momenti ku duhet të ndalemi. Jo thjesht për të vajtuar vetëm një njeri, por për të reflektuar mbi rrugën që na solli deri këtu. Sepse kjo ngjarje nuk ndodhi në boshllëk. Ajo është frut i hidhur i një toke të helmatisur prej dekadash, toke ku drejtësia është vonuar, shteti është dobësuar, morali është zbehur, dhe qytetari është lënë pa mbrojtje. Ajo është pasojë e një rrëmuje shumëvjeçare morale, institucionale dhe ligjore. Diku në udhën tonë humbëm busullën që ndan të mirën nga e keqja; shoqëria pranoi relativizmin si normë, ndërsa shteti u mjaftua me rregulla shpesh të padrejta, pa shpirt, të borxhmarra shabllon andej këtej, e të paharmonizuara. Kur e vërteta bëhet marrëveshje e përkohshme dhe morali modë sezonale, drejtësia mbetet pa themel.
Pse drejtësia shqiptare erdhi deri në këtë pike?
Së pari, duket sikur një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë ka humbur busullën morale. E shkatërrua nga periudha e diktaturës ateisto-komuniste, regjimi më i egër e më totalitar në Europën moderne, shoqëria shqiptare nuk ka arritur të rikthejë ndjenjën e shenjtë të dallimit midis të mirës dhe të keqes. Kur Zoti, e drejta natyrore, ndërgjegjja hyjnore dhe nderi e dinjiteti njerëzor, u përjashtuan nga jeta publike për dekada me rradhë, u krijua një brez që nuk e di më arsyen as pse ekziston, e as pse duhet të jetë i drejtë. Dhe një shoqëri pa busull morale, nuk mund të ketë norma ligjore të drejta, e aq më pak drejtësi të shëndoshë.
Në këtë realitet të deformuar moral, edhe ligjet që duhej të ishin garanci e drejtësisë, shpesh janë shndërruar në burim padrejtësish. Që nga ligjet që grabitën pronën private pas Luftës së Dytë Botërore, tek cmenduria kolektive e ndalesës së besimit në Zot, të ligji famëkeq 7501 që shkatërroi rendin juridik të pronësisë, e deri te aktet e sotme që mbivendosin tituj pronësie dhe prodhojnë pasiguri të re, legjislacioni shqiptar ka krijuar një kaos të trashëguar, ku padrejtësia institucionalizohet. Gjyqtarët shpesh gjenden përballë detyrës absurde për të zbatuar ligje të padrejta, të paqarta, apo për të zgjidhur konflikte që burojnë nga vetë mungesa e harmonizimit ligjor. Kështu, zemërimi i popullit, që në thelb është revoltë ndaj padrejtësisë sistemike, përqendrohet padrejtësisht mbi ata që janë vetëm zbatues të ligjit, jo krijues të tij. Edhe në rastin tragjik të gjyqtarit të ndjerë Astrit Kalaja, autori i aktit, sigurisht i pajustifikueshëm në çdo rrethanë, pretendonte se i ishte bërë padrejtësi nga ligjet, nga aktet nënligjore apo nga vendimet gjyqësore që burojnë prej tyre. Ky është kulmi i tragjedisë shqiptare: kur viktima dhe agresori janë të dy produkte të një sistemi që ka humbur drejtimin moral e ligjor.
Një tjetër arsye e kësaj tragjedie është vetë kalvari absurd i kohës që kërkohet për gjykimin e një çështjeje në Shqipëri. Ngarkesa e gjykatave dhe zgjatja e proceseve deri në 15–20 vjet janë fytyra më e dukshme e dështimit funksional të sistemit. Nuk ka drejtësi, që mund të quhet e tillë, nëse kërkon një gjysmë jete për të dhënë një vendim. Gjyqtarë të stërngarkuar, që mbajnë mbi shpatulla mijëra dosje njëherësh, janë të detyruar të ecin në rrugë të pamundura mes volumit të punës, mungesës së stafit dhe presioneve të palëve. Seanca që shtyhen pa fund, prova që humbasin peshën e tyre me kalimin e viteve, dëshmitarë që harrojnë apo zhduken, e njerëz që plaken duke pritur një vendim, janë përditshmëria jonë e hidhur.
Sipas të dhënave zyrtare të vetë Këshillit të Lartë Gjyqësor, një proces që ndjek rrugën e plotë në tre shkallët e gjyqësorit kërkon mesatarisht nga 15 deri në 20 vjet për t’u mbyllur. Kjo do të thotë se një njeri që sot kërkon të mbrojë të drejtën e tij në gjykatë, ka gjasë që vendimin përfundimtar ta marrë në prag të pensionit, nëse nuk ndahet nga jeta më parë. Në këtë boshllëk të pafund pritjeje, palët humbasin durimin, humbasin besimin dhe, shumë shpesh, humbasin edhe arsyen. Në vend të zgjidhjes, sistemi prodhon mllef; në vend të paqes, prodhon hakmarrje; në vend të drejtësisë, prodhon vetëgjyqësi.
Mungesa e sigurisë në gjykata dhe për gjyqtarët është një tjetër plagë e thellë e sistemit të drejtësisë shqiptare. Tragjedia e ndodhur tregoi me dhimbje se drejtësia në Shqipëri nuk është vetëm e pambrojtur moralisht, është e pambrojtur edhe fizikisht. Standardet e ruajtjes dhe mbrojtjes që zbatohen në gjykatat e vendeve të Bashkimit Europian, ku Shqipëria synon të anëtarësohet, janë të barasvlershme me protokollet e sigurisë së aeroporteve: çdo hyrje, çdo lëvizje, çdo objekt kontrollohet me rigorozitet absolut. Në ato vende, një sallë gjyqi është një hapësirë e shenjtë ku shteti shfaq forcën dhe dinjitetin e tij.
Në Shqipëri, pamjet e kamerave të sigurisë, që tashmë kanë bërë xhiron e botës, tregojnë një realitet të tmerrshëm: sistemi i sigurisë është inekzistent. Siç e tha me të drejtë Kryetari i Gjykatës së Lartë, z. Sokol Sadushi, “siguria në gjykata është zero.” Dhe kur siguria është zero, drejtësia është në rrezik. Sallat e gjyqit nuk mund të jenë hapësira ku rreziku kalon nëpër detektor vetëm kur ka zhurmë publike, apo ku kontrolli formal bëhet për sy e faqe. Siguria nuk është luks, është parakusht për ekzistencën e drejtësisë. Një gjyqtar që hyn në sallë me frikë për jetën nuk mund të jetë i pavarur, as nuk mund të japë drejtësi. Një sistem që nuk mbron rojtarët e ligjit, bie së brendshmi, dhe bie me zhurmë. Nëse gjyqtari nuk është i sigurt në sallën e gjyqit, si mund të ndihet i sigurt qytetari në rrugë?
Një tjetër arsye pse sistemi ka ardhur në këtë pikë dramatike është lufta e vazhdueshme politike dhe mediatike ndaj drejtësisë. Për dekada, gjyqtarët dhe prokurorët demonizohen publikisht, etiketohet çdo vendim që nuk përputhet me interesat e radhës, dhe njerëzit që zbatojnë ligjin trajtohen si kriminelë në ekran apo në mediat e tjera. Kjo atmosferë helmatisëse ka pasoja të rënda: shkatërron besimin e publikut te drejtësia, shkatërron dinjitetin e profesionit, dhe i nxit qytetarët të shohin te gjyqtari jo më një garant të paanësisë, apo tek prokurori një mbrojtës të ligjit dhe rendit publik, por një armik personal. Kështu lindin shpërthime si ai i fundit, kur një qytetar i revoltuar, i dehur nga mosbesimi, shndërrohet në ekzekutor të një njeriu që po ushtronte detyrën e tij. Ky nuk është rasti i parë ku një përfaqësues i drejtësisë humb jetën në Shqipëri, por është rasti më dramatik, sepse për herë të parë një gjyqtar u vra brenda në sallën e gjyqit, menjëherë pas dhënies së vendimit. Dhe kjo nuk është vetëm vrasja e një gjyqtari, është atentat ndaj shtetit, ndaj ligjit, ndaj çdo ideje që Shqipëria mund të jetë një vend ku drejtësia jeton e mbrohet.
Arsyet pse drejtësia shqiptare ka ardhur në këtë pikë nuk mbarojnë me kaq. Ato shtrihen më thellë, në çdo qelizë të sistemit: në mungesën e infrastrukturës moderne, në sallat e gjyqeve që ende funksionojnë me dokumente letre dhe arkiva të pluhurosura, në mungesën e personelit ndihmës ligjor që do të lehtësonte barrën e gjyqtarëve, në mungesën e një koordinimi real mes institucioneve që duhet të bashkëpunojnë. Ka gjykata që funksionojnë pa kushte minimale sigurie, pa pajisje teknologjike, pa mbështetje psikologjike apo logjistike për stafin që përballet me presione të jashtëzakonshme. Kjo është një drejtësi që përpiqet të ecë me paterica në një botë që vrapon me inteligjencë artificiale.
Reforma e shumëpritur në drejtësi, që u shpall si kthesa historike e shtetit shqiptar, ishte dhe mbetet një hap i rëndësishëm dhe i domosdoshëm. Ajo solli ndryshime rrënjësore pozitive, dhe solli pastrimin e një pjese të sistemit, por e la vetë sistemin të gjymtuar, të ngarkuar dhe të paplotë. Por reforma nuk mund të lihet në mes, sepse drejtësia nuk mund të ndërtohet gjysmë. Ajo duhet të vazhdojë, të thellohet dhe të shtrihet në çdo element, që nga plotësimi i numrit të gjyqtarëve dhe stafit ndihmës, edukimi e trajnimi i tyre, te siguria fizike e gjyqtarëve, nga teknologjia e munguar te etika e harruar. Vetëm kështu reforma do të bëhet realitet dhe jo kujtesë e një premtimi të papërfunduar. Prandaj, nëse duam ta shpëtojmë drejtësinë, nuk mjafton ta dënojmë dhunën ndaj saj, duhet ta mbrojmë, ta modernizojmë, ta pastrojmë dhe mbi të gjitha, ta bëjmë të besueshme dhe efikase.
Por, si mund të ringrihet drejtësia shqiptare?
Tani është koha e reflektimit të madh kombëtar. Pas çdo tragjedie të madhe, kombet që duan të mbijetojnë, ndalen për të parë brenda vetes. Shqipëria duhet ta bëjë këtë sot pa retorikë, pa justifikime, pa frikë nga e vërteta. Rasti i gjyqtarit të ndjerë Astrit Kalaja nuk duhet të mbyllet me një minutë heshtje, por të hapë një epokë të re ndërgjegjësimi kombëtar për drejtësinë. Sepse drejtësia nuk është çështje gjykatash, por e ardhme e cdo qytetari, e ardhme e shtetit, e vetë kombit.
Në këtë moment kritik, nevojitet një tryezë e jashtëzakonshme kombëtare ku të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë, KLGJ, KLP, ILD, Ministria e Drejtësisë, Shkolla e Magjistraturës, së bashku me Kuvendin, Presidentin, përfaqësues të Dhomave të Avokatisë, Ndërmjetwsve, Përmbaruesve, Noterisë, medias dhe shoqërisë civile, të ulen përballë njëri-tjetrit dhe përballë ndërgjegjes së vendit. Kjo tryezë duhet të prodhojë një Strategji Kombëtare për Ringritjen e Drejtësisë Shqiptare, me masa konkrete, përgjegjësi të ndara për çdo institucion dhe afate të matshme për zbatim. Kjo nuk duhet të jetë një tjetër reformë në letër, por një plan veprimi me horizonte të qarta: masa afatshkurtra për sigurinë dhe funksionalitetin, masa afatmesme për cilësinë dhe efikasitetin, dhe masa afatgjata për moralin dhe besimin e publikut.
Së pari, duhet të garantohet siguria fizike dhe institucionale e gjyqtarëve. Asnjë vendim gjyqësor nuk mund të jetë i drejt dhe i lirë nëse jepet nën kërcënim. Sallat e gjyqeve duhet të trajtohen me standardet më të larta të sigurisë, njësoj si aeroportet e vendeve të BE-së. Çdo gjykatë duhet të ketë sistem të integruar kontrolli, prani të forcave të specializuara të sigurisë, protokolle emergjence dhe monitorim elektronik të përhershëm. Mbrojtja e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga kërcënimet duhet të jetë detyrim ligjor, jo masë fakultative.
Një nga plagët më të mëdha që po e mbyt sistemin është mbingarkesa katastrofike e gjykatave. Zgjidhja nuk është vetëm shtimi i gjyqtarëve, por ndryshimi i filozofisë. Duhet të krijohet parimi i ndërmjetësimit të detyrueshëm, ku askush nuk mund t’i drejtohet gjykatës pa ezauruar zgjidhjen me anë të ndërmjetësimit, sidomos në konfliktet civile, familjare, tregtare apo të punës, fusha që përbëjnë mbi 70% të ngarkesës së gjykatave shqiptare. Kjo do të ulë konfliktet, do të kursejë kohë e para, dhe mbi të gjitha, do të rikthejë kulturën e dialogut në shoqëri. Çdo konflikt që mund të zgjidhet me marrëveshje, nuk mund dhe nuk duhet të përfundojë në gjykatë.
Ky mekanizëm do të krijojë një rreth të parë parandalues të konflikteve, ku palët nën drejtimin e një ndërmjetësi të licencuar dhe të paanshëm do të përpiqen të arrijnë një marrëveshje të drejtë dhe të qëndrueshme, pa kaluar në betejë gjyqësore. Kjo do të kursejë kohë, para dhe burime njerëzore, si për qytetarët ashtu edhe për shtetin, dhe do të ulë ndjeshëm tensionin social që shpesh lind nga proceset e gjata dhe të lodhshme gjyqësore.
Por ndërmjetësimi nuk është vetëm një mjet procedural, është një kulturë e re e drejtësisë në Shqipëri. Ai e zhvendos theksin nga konflikti tek dialogu, nga ndëshkimi tek zgjidhja, nga armiqësia tek kompromisi. Kjo është rruga që kanë ndjekur me sukses shumë vende të Bashkimit Europian, ku deri në 50% e çështjeve civile dhe tregtare zgjidhen jashtë gjykatave, përmes mekanizmave të ndërmjetësimit ose arbitrazhit. Shqipëria mund dhe duhet të ndjekë të njëjtën rrugë.
Një masë tjetër e domosdoshme, pa të cilën çdo reformë do të mbetet e cunguar, është dixhitalizimi dhe modernizimi i plotë i sistemit gjyqësor. Pa një arkitekturë të unifikuar elektronike, drejtësia shqiptare do të mbetet e ngecur në shekullin e kaluar, me dosje letre, vula me bojë dhe procedura të një epoke tjetër. Duhet krijuar një platformë dixhitale unike kombëtare që të përfshijë çdo fazë të procesit gjyqësor, nga fillimi deri në fund, duke e bërë drejtësinë më të shpejtë, më të pastër dhe më të aksesueshme për qytetarin.
Paditë duhet të depozitohen përmes e-filing, duke eliminuar radhët dhe burokracinë. Provat dhe dokumentet duhet të ngarkohen në mënyrë elektronike dhe të sigurt, me vulë dixhitale dhe gjurmueshmëri të plotë për çdo veprim. Seancat gjyqësore duhet të kenë mundësi të zhvillohen online ose hibride, sidomos për çështjet civile, familjare, apo administrative ku palët mund të dëgjohen përmes platformave të verifikuara. Të gjitha njoftimet, thirrjet, afatet dhe aktet procedurale duhet të bëhen në mënyrë elektronike, përmes sistemit të integruar të gjykatave, duke shmangur vonesat dhe abuzimet. Vendimet gjyqësore duhet të publikohen dhe t’u komunikohen palëve në formë elektronike, me nënshkrim dixhital dhe arkivim automatik në bazën e të dhënave. Kjo reformë do të sillte kursim të madh kohe, burimesh njerëzore dhe financiare, do të rriste efikasitetin dhe do të eliminonte shumë prej pikave të kontaktit ku lind korrupsioni.
Dixhitalizimi nuk është më luks, është kusht për ekzistencën e drejtësisë moderne. Ai do të shkurtojë kohën e proceseve, do të ulë kostot për qytetarët dhe shtetin, do të sigurojë gjurmueshmëri të çdo vendimi, dhe mbi të gjitha, do të forcojë besimin e publikut se drejtësia funksionon me rregulla të barabarta për të gjithë, të matshme dhe të dukshme në kohë reale. Vetëm kështu Shqipëria mund të ketë një drejtësi të denjë për epokën dixhitale dhe për qytetarin e shekullit XXI.
Për ta përfunduar, dita e zezë e vrasjes së gjyqtarit të nderuar Astrit Kalaja nuk duhet të mbetet vetëm një kujtim i hidhur, por të kthehet në pikën e kthesës për drejtësinë shqiptare. Ky akt i shëmtuar nuk guxon të mbulohet me fjalë ngushëllimi e minuta heshtjeje, por duhet të na shkundë ndërgjegjen kolektive dhe të na detyrojë të zgjohemi nga gjumi i gjatë i apatisë. Drejtësia nuk është një luks për pakicën, por ajri që thith një shoqëri e lirë. Pa të, çdo qytetar është i pambrojtur, çdo pronë është e pasigurt, çdo e drejtë kthehet relative.
Ne i detyrohemi kujtimit të gjyqtarit të rënë që të mos mbyllim sytë përballë kësaj krize, por ta shndërrojmë dhimbjen në forcë dhe humbjen në fillim të një epoke të re. Duhet të ngremë një drejtësi që nuk trembet, një drejtësi që nuk shitet, një drejtësi që nuk vonon dhe një drejtësi që nuk lë asnjë qytetar të braktisur. Kjo kërkon vizion të qartë, guxim politik, bashkëpunim institucional dhe mbi të gjitha, një ndërgjegje kombëtare që nuk pranon më as kompromise të ulëta, as reformime gjysmake.
Historia e një kombi matet jo vetëm me fitoren në beteja apo me ngritjen e monumenteve, por me aftësinë për të mbrojtur të drejtën edhe kur është më e brishta. Sot, Shqipëria është në provë. Dhe përgjigjja jonë ndaj kësaj prove do të tregojë nëse kemi forcë të ndërtojmë një shtet ku gjyqtari hyn në sallën e gjyqit pa frikë, qytetari pa dyshim, dhe publiku i beson drejtësisë.
Ky është borxhi ynë për gjyqtarin e ndjerë Astrit Kalaja. Ky është borxhi ynë për çdo shqiptar që beson ende se drejtësia mund të ekzistojë në këtë vend. Dhe ky është borxhi ynë për të ardhmen e Shqipërisë, që nuk mund të ndërtohet mbi gjak e padrejtësi, por mbi besim, siguri, drejtësi, paqe e harmoni sociale.
Top Channel