
Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së autorit të shquar, Martin Camaj, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në bashkëpunim me Autoritetin për Informim mbi Dokumentat e Ish-Sigurimit të Shtetit organizoi aktivitetin me temë “100-vjetori i Martin Camaj në kujtesën kolektive”.
Alda Bardhyli, drejtore e Qendrës Kombëtare e Librit dhe Leximit u shpreh se Camaj ishte një autor me përmasa të mëdha, figurë komplekse dhe me ndikim të thellë në letërsinë dhe çështjen kombëtare shqiptare.
“Martin Camaj është personazh shumë i ndërlikuar të themi, duke përfaqësuar figurën e një personaliteti me përmasa të mëdha. Ai ishte modern, ishte autor i fuqishëm, jetoi në vende të ndryshme dhe ishte konfliktuar me regjimin monist.
Martin Camaj ishte profesor i nderuar në Mynih, ai ka bërë shumë për çështjen kombëtare”.
Në aktivitet mori pjesë edhe Enkeleida Kapia, shefe e katedrës së Albanologjisë tek Instituti për Gjuhësi Krahasuese Indo-Europiane dhe Albanologji në Universitetin Ludwig-Maximilians në Mynih.
Kapia vu në pah se figura e Martin Camajt është krijuar falë veprës së tij letrare, me të cilën duhet të njihet edhe lexuesi.
Ajo e vu theksin te letërkëmbimi Camaj-Pipa si një nga dëshmitë më të rëndësishme për mënyrën se si mendimi shqiptar është përpjekur të mbijetojë në mërgim.
“Në letrat e tyre gjejmë të shpalosur një miqësi, e cila ishte e preokupuar me shumë tema, por një ndër dhimbjet e tyre madhore ishte mënyra se si sillej Tirana ndaj tyre. Kur flitet për Tiranën në to, bëhet fjalë, jo për “Tirana” si toponomi, por për Tiranën që është më shumë se një qytet, është një gjendje shpirtërore. Në to përvijohet një Tiranë, që nuk është as topografi, as pushtet, por kujtesa e shtypjes dhe një “Shqipni” që nuk është shtet, por hapësira ku fjala mund të jetë e lirë”, u shpreh Kapia, shefe e katedrës së Albanologjisë në Mynih.
Ky aktivitet ndër të tjera solli në vëmendje dosjen e Martin Camaj, duke zbuluar hollësi të përmbajtjes së saj.
Shkrimtari Martin Camaj shpesh është diskutuar në rrethet intelektuale të vendit si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit në komunizëm dhe shihej nën hije dyshimesh mbi bashkëpunimin e tij me agjenturat e huaja.
Në 100-vjetorin e lindjes së Martin Camaj, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit prezantoi një raportim përfundimtar për dosjen hetimore të tij.
Nga analiza e dokumentacionit arkivor, që ka kryer grupi i punës dhe ekspertët e përfshirë në të rezulton se Martin Camaj nuk ka bashkëpunuar me Ish-Sigurimin e Shtetit.
“Tentativa e marrjes në bashkëpunim e Martin Camajt është kryer nën presionin e arrestit dhe si pjesë e praktikave standarde të ish-Sigurimit të Shtetit, për kontrollin e individëve me ndikim. Nuk ka asnjë provë ose të dhënë të identifikuar në dokumente arkivore të krijuar nga ish-Sigurimi i Shtetit që të vërtetojë, që ai ka dhënë informacion. Pas arratisjes, Martin Camaj iu përkushtua fushës kulturore dhe akademike, duke ruajtur marrëdhënie me figura të diasporës dhe intelektualë të njohur të kohës. Strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit kanë vijuar survejimin e tij edhe jashtë kufijve duke hartuar plane për komprometimin e figurës së tij, si pjesë e luftës politike dhe propagandës së regjimit”, u shpreh Altin Hoxha, anëtar i Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit.
Martin Camaj (Temal, 1925-1992, Gjermani) poeti i kontrasteve të mëdha u shua në moshën 67-vjeçare larg vendlindjes së tij. Disa nga veprat që ka botuar janë : “Djella”, “Rrathë”, “Loja mbasdrekës”, “Kandili argjandi”, “Dranja” etj.
Shkrimtari, studiuesi dhe gjuhëtari Camaj e kaloi jetën e vet në emigrim.
Top Channel