Zbulohet ‘foleja’ e prostitucionit në Durrës, arrestohen dy shtetase të huaja, procedohen tre të tjerë

08/10/2025 14:31

Zbulohet ‘foleja’ e prostitucionit në qytetin e Durrësit pas tre javësh hetime. Për pasojë janë arrestuar dy shtetase të huaja, nga Venezuela dhe Kolumbia’

Po ashtu janë proceduar penalisht dhe tre persona të tjerë për veprën penale ‘prostitucioni’.

Gjatë operacionit policor, janë sekuestruar një shumë parash e dyshuar e përfituar nga veprimtaria e paligjshme dhe 6 celularë dhe dokumente identifikimi të të arrestuarve.

Njoftimi i policisë:

Durrës/Hetime intensive në vijim dhe kontrolle në ambiente të ndryshme, për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të prostitucionit.

Finalizohet pas 3 javësh hetime me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “STORM 7”.

Zbulohet në lagjen nr. 12, Durrës, një apartament ku ushtrohej prostitucion.

Arrestohen në flagrancë 2 shtetaset e huaja që e kishin marrë me qira apartamentin, për këtë qëllim.

Sekuestrohet një shumë parash e dyshuar e përfituar nga prostitucioni.

Si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, për një periudhë trejavore, në drejtimin e Prokurorisë, u organizua dhe u finalizua në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, të DVP Durrës, operacioni policor i koduar “STORM 7”.

Si rezultat i hetimeve:
-u zbulua në lagjen nr. 12, Durrës, një apartament ku ushtrohej prostitucion;
-u arrestuan në flagrancë shtetaset N. T., 34 vjeçe, banuese në Venezuelë dhe A. A., 24 vjeçe, banuese në Kolumbi, për veprat penale “Prostitucioni” dhe “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”, të cilat dyshohet se e kishin marrë me qira apartamentin, për ushtrim prostitucioni.

Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Prostitucioni”, për shtetasit M. A., A. A. dhe D. T.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një shumë parash e dyshuar e përfituar nga prostitucioni, 6 celularë dhe dokumente identifikimi të shtetaseve të arrestuara.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme procedurale.

Top Channel