
Vaksinimi kundër gripit sezonal ka nisur edhe në Lezhë. Prej datës 22 shtator, vaksina është vënë në dispozicion në të gjitha qendrat shëndetësore të qytetit dhe të zonave rurale.
Interesi i qytetarëve, kryesisht i moshës së tretë, për t’u vaksinuar paraqitet i lartë. Drejtori i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Lezhë, Elson Frroku, thotë se vaksinimi është një masë efektive për të reduktuar rrezikun e infektimit dhe për të parandaluar komplikimet e mundshme, duke mbrojtur shëndetin e individëve dhe të komunitetit.
Edhe qytetarët shprehen se vaksinimi është një nga mënyrat më të mira për ta përballuar sa më lehtë gripin sezonal.
Deri tani, në Lezhë kanë mbërritur rreth 6 mijë doza vaksinash, të cilat konsiderohen një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetit të komunitetit.
Top Channel