“Turizmi duhet të ndryshojë”, ekspertët: Problematika kryesore mbetet cilësia e shërbimeve

08/10/2025 15:15

Interesi i turistëve për të vizituar Shqipërinë ishte i lartë edhe këtë vit, ku deri në dhjetor pritet që të arrihet numri prej 12 milionë vizitorësh.

Por ajo çka vihet re është se, ndryshe nga 2024, sivjet ka pasur një rënie të turizmit cilësor. Çka do të thotë se turistët që kanë pushuar në vendin tonë kanë kërkuar akomodime me çmime më të ulëta, duke synuar kryesisht banesat që jepen me qira në platformat online si Airbnb, e rrjedhimisht kanë shpenzuar më pak para.

Kreu i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa, thotë se problematika kryesore e turizmit mbetet shërbimi dhe për këtë ofron një zgjidhje.

“Në rritje është numri i turistëve low-cost. Ka rënie të turizmit cilësor, atyre që paguajnë më shumë dhe janë në interesat e ekonomisë shqiptare. Kjo ka ardhur për shkak të shërbimit. Një turist pret 20 minuta për një kafe në një hotel që ka paguar dhe 600 euro. Ky është një problem që prek edhe vende të tjera, por në Shqipëri është më i theksuar për shkak të emigracionit. Është emergjente dhe ka ardhur koha për ngritjen e një akademie ose fakulteti të dedikuar turizmit”, thotë Kasa.

Sa i përket turizmit të vjeshtës, të huajt më së shumti vijnë në grupe të organizuara dhe qëndrojnë 7 netë, duke përfshirë në guidën e tyre qytete të ndryshme të vendit.

“Turizmi i vjeshtës është kryesisht kulturor dhe është goxha mirë, është në rritje dhe në nivele të kënaqshme. Zgjedhin paketa me 7 netë qëndrimi, vizitojnë atraksionet turistike më të njohura ose zonat malore. Bëjnë vizita në Gjirokastër, Berat, Apolloni, Sarandë, Përmet”, shton Kasa.

Turistët që vijnë dhe kalojnë disa ditë pushimi në vendin tonë janë më së shumti nga rajoni i Europës, më pas renditet Amerika dhe Azia Lindore dhe Paqësori.

Top Channel