
Presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa, ka shpëtuar pa lëndime pasi automjeti presidenciale u vu në shënjestër të një sulmi të dhunshëm nga protestues gjatë një vizite zyrtare në Ekuadorin qendror.
Incidenti ndodhi të martën, ndërsa Noboa po merrte pjesë në përurimin e një impianti për përpunimin e ujit, në një moment tensioni të lartë kombëtar për shkak të rritjes së çmimit të karburantit.
Sipas Ministres së Mjedisit, Inés Manzano, automjeti u sulmua nga një grup protestuesish që hodhën gurë dhe, siç raportohet, shkrepën armë zjarri në drejtim të automjeteve të presidentit.
“Rreth 500 persona u mblodhën dhe qëlluan me gurë drejt autokolonës. Disa prej shenjave në makinën e presidentit tregojnë për goditje nga plumbat,” deklaroi Manzano.
Pamjet zyrtare të publikuara nga qeveria tregojnë momentin dramatik kur një fuoristradë e blinduar përshkon një rrugë të bllokuar nga protestues me flamuj, ndërsa nga turma fluturojnë tulla dhe objekte të forta.
Autoritetet kanë arrestuar pesë persona të dyshuar për përfshirje në incident. Ata do të përballen me akuza për terrorizëm, vepër që në Ekuador dënohet me deri në 30 vjet burg.
Protestat kanë shpërthyer në mbarë vendin pas vendimit të qeverisë për të ulur subvencionet për karburantin, një masë që ka shkaktuar zemërim të gjerë, veçanërisht në komunitetet indigjene dhe shtresat më të varfra.
Organizatat protestuese kanë bllokuar rrugë, kanë hyrë në grevë dhe kanë marrë peng 16 ushtarë, të cilët më pas janë liruar të padëmtuar.
Një protestues ka humbur jetën gjatë përplasjes me forcat e sigurisë, ndërsa mbi 100 persona janë plagosur, përfshirë qytetarë dhe pjesëtarë të forcave të rendit.
Zyra e Presidentit Noboa reagoi menjëherë pas sulmit, duke e cilësuar ngjarjen si një akt frikacak dhe duke theksuar se nuk do ta dekurajojë presidentin nga detyra dhe përkushtimi për vendin. Presidenti ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në disa provinca, si masë për të rikthyer rendin.
Kreu i Organizatës së Shteteve Amerikane (OAS), Albert Ramdin, e dënoi incidentin, duke thënë se akte të tilla të dhunshme janë sulm ndaj demokracisë dhe stabilitetit në rajon.
Top Channel