Salah me shokë bëjnë detyrën, Egjipti “pret biletën” për në Botërorin 2026/ Shkon në 19 numri i ekipeve të kualifikuara

08/10/2025 20:27

Egjipti ka siguruar zyrtarisht kualifikimin në Kupën e Botës 2026, pas një fitoreje bindëse 3–0 ndaj Xhibutit mbrëmjen e së mërkurës në “Stade Al Arabi Al Zaouli” në Casablanca të Marokut.

“Faraonët”, që kërkonin pjesëmarrjen e katërt në historinë e tyre pas edicioneve 1934, 1990 dhe 2018, dominojnë ndeshjen nga fillimi në fund, duke mbyllur llogaritë që në pjesën e parë falë golave të Ibrahim Adel dhe Mohamed Salah.

Falë këtij triumfi, Egjipti mban vendin e parë në Grupin A me 23 pikë dhe tashmë nuk mund të arrihet nga rivalët, duke siguruar matematikisht biletën për Botërorin që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë në vitin 2026.

Skuadra e Salah me shokë do të kthehet në Kajro për të përballur Guinea-Bissau të dielën në “Cairo International Stadium”, një ndeshje që do të shërbejë më shumë si festë për tifozët egjiptianë pas rikthimit të shumëpritur në skenën më të madhe të futbollit botëror.

Me përfshirjen e Egjiptit, numri i ekipeve të kualifikuara për Kupën e Botës 2026 ka shkuar në 19 së bashku me tre vendet mikpritëse.

Nga Evropa, asnjë ekip nuk është ende matematikisht i kualifikuar, me kualifikueset që do të përfundojnë vitin e ardhshëm.

Nga Azia, tashmë kanë siguruar pjesëmarrjen Japonia, Australia, Irani, Uzbekistani, Koreja e Jugut dhe Jordania.

Nga Afrika, Maroku, Tunizia dhe Egjipti janë tre vendet e para që kanë prerë biletën për Botëror.

Në Amerikën e Veriut, tre vendet organizatore – Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Meksika – janë automatikisht të kualifikuara.

Nga Amerika e Jugut, pjesëmarrjen e kanë siguruar Argjentina, Brazili, Ekuadori, Uruguai, Paraguai dhe Kolumbia.
Ndërkohë, nga Oqeania, Zelanda e Re ka konfirmuar kualifikimin e saj.

Dy vende të tjera do të dalin nga play-off-et ndërkontinentale, të cilat do të përcaktojnë përfundimisht listën e 48 skuadrave që do të marrin pjesë në Botërorin e 2026-s.

Top Channel