
Hamasi ka kërkuar lirimin e Marwan Barghouti si pjesë e negociatave me Izraelin mbi listën e të burgosurve palestinezë që do të lirohen në këmbim të pengjeve që mbeten në Rripin e Gazës.
Një ish-zyrtar i Fatahut, Marwan Barghouti u arrestua nga autoritetet izraelite në vitin 2002 dhe u dënua në vitin 2004 me pesë burgime të përjetshme për vrasje të lidhura me rolin e tij në Intifadën e dytë (2000-2005).
Ai mbetet një figurë jashtëzakonisht popullore në rezistencën palestineze dhe quhet nga shumë njerëz “Mandela e Palestinës”.
Bisedime indirekte kanë filluar që nga e hëna në vendpushimin egjiptian të Sharm el-Sheikh mbi planin e paqes të paraqitur nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, i cili përfshin një armëpushim në Rripin e Gazës, kthimin e pengjeve të rrëmbyera më 7 tetor 2023, një tërheqje graduale të ushtrisë izraelite nga enklava palestineze dhe çarmatimin e Hamasit.
Al-Qahera News raportoi se kanë filluar diskutimet, me ndërmjetësimin e Egjiptit, mbi listën e “të burgosurve palestinezë që do të lirohen nga burgjet izraelite” sipas një marrëveshjeje shkëmbimi midis Izraelit dhe Hamasit.
Ajo përfshin gjithashtu Ahmad Saadat, Hassan Salameh dhe Abbas al-Sayed, sipas të njëjtit burim.
Ndërkohë, kryenegociatori i Hamasit, Khalil al-Haya, tha të martën se lëvizja palestineze “dëshiron garanci” nga Donald Trump dhe ndërmjetësit se lufta në Gaza “do të përfundojë njëherë e përgjithmonë”.
“Ne nuk i besojmë pushtuesit”, tha ai për median egjiptiane Al-Qahera News, duke akuzuar Izraelin për shkelje të dy armëpushimeve gjatë luftës.
“Regjimi izraelit nuk i ka mbajtur kurrë premtimet e tij. Kjo është arsyeja pse ne duam garanci të vërteta nga Presidenti Trump dhe vendet garantuese”, tha ai.
“Ne jemi të gatshëm të punojmë për një marrëveshje që do të thotë fundi i luftës, tërheqja e trupave izraelite nga Gaza dhe një shkëmbim të pengjeve dhe të burgosurve”, shtoi ai.
Top Channel