Ndihmonte emigrantët të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin për 400 euro, arrestohet 19-vjeçari në Shkodër

08/10/2025 15:04

Policia Kufitare në Shkodër ka finalizuar operacionin e radhës kundër trafikimit të emigrantëve, duke arrestuar një të ri 19-vjeçar që ndihmonte shtetas nga vendet e treta për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.

Operacioni policor i koduar “Borders 3”, u zhvillua nga shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Bajzë, pas informacioneve të marra në rrugë operative.

I riu me inicialet V. T., banues në Durrës, u kap në flagrancë në fshatin Vukpalaj, duke transportuar me automjet katër emigrantë të paligjshëm, të cilët synonin të kalonin kufirin me Malin e Zi.

Sipas hetimeve paraprake, 19-vjeçari dyshohet se i ndihmonte emigrantët të kalonin fillimisht kufirin tokësor me Greqinë, e më pas drejt Malit të Zi, duke u ofruar transport me automjet për 400 euro për person.

Në cilësinë e provës materiale, Policia ka sekuestruar:

Automjetin e përdorur për transportin ilegal;

Një aparat celular të të arrestuarit.

Policia po vijon hetimet për identifikimin dhe ndjekjen penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet trafikimi.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme ligjore.

Top Channel