Moody’s rikonfirmon vlerësimin “Ba3” për Shqipërinë me perspektivë të qëndrueshme, parashikon rritje ekonomike prej 3.7%

08/10/2025 11:24

Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit Moody’s Ratings, në raportin e saj të publikuar dje, ka rikonfirmuar vlerësimin afatgjatë të kreditit sovran të Shqipërisë në “Ba3” me perspektivë “të qëndrueshme”.

Moody’s thekson se stabiliteti makroekonomik u ruajt gjatë tri goditjeve të mëdha që prekën ekonominë shqiptare, siç ishte tërmeti, pandemia dhe kriza energjetike evropiane, si dhe vlerëson qëndrueshmërin, por edhe aftësinë për rimëkëmbjen e shpejtë.

Agjencia nënvizon gjithashtu se perspektiva afatmesme e rritjes ekonomike do të mbetet e qëndrueshme.

Rritja reale e PBB-së prashikohet prej 3.7% për vitin 2025 dhe 3.5% për vitin 2026, duke u nxitur kryesisht nga konsumi i fortë vendas dhe investimet në infrastrukturën e turizmit dhe energjisë. Sektori i turizmit do të vazhdojë të mbetet kontributor i rëndësishëm në rritjen ekonomike, duke përmirësuar eksportet e shërbimeve dhe investimet në ndërtim.

Në aspektin fiskal, Moody’s vlerëson trendin pozitiv të borxhit publik që ka rifilluar rënien që prej vitit 2022, pas tre goditjeve të mëdha. Raporti i borxhit publik ndaj PBB-së ra në 54.2% në vitin 2024 nga piku prej 74.1% në vitin 2021. Agjencia parashikon që borxhi publik të arrijë në 53.5% të PBB-së në vitin 2026, e mbështetur nga rritja e fortë ekonomike dhe suficiti primar fiskal.

Agjencia vlerëson se autoritetet pritet të respektojnë rregullat fiskale të përcaktuara në Ligjin Organik të Buxhetit, për garantimin e mbajtjes së një bilanci primar të paktën të balancuar, si dhe uljen e raportit të borxhit të përgjithshëm të qeverisë ndaj PBB-së, çdo vit, derisa të arrijë 45%.

Investimet e huaja direkte kontribuojnë në zbutjen e rreziqeve që vijnë nga deficiti i llogarisë korrente, i cili qëndroi në 2.4% të PBB-së në vitin 2024 dhe pritet të mbetet i qëndrueshëm rreth këtij niveli gjatë periudhës 2025-2026, ndjeshëm më poshtë mesatares prej 7.3% të PBB-së të regjistruar gjatë viteve 2017-2022.

Sektori financiar mbetet i kapitalizuar dhe likuid në mënyrë e duhur, ndërsa rreziqet potenciale mbeten nën kontroll.

Shqipëria do të vazhdojë të përfitojë nga financimet e BE-së dhe zbatimi gradual i reformave të lidhura me procesin e anëtarësimit. Reformat, veçanërisht ato në fushat e sundimit të ligjit, masat kundër korrupsionit dhe mirëqeverisja do të shërbejnë për të përshpejtuar procesin e bisedimeve për anëtarësimin. Integrimi ekonomik me BE-në, si partneri tregtar më i madh i Shqipërisë, do të shërbejë për rritjen e qëndrueshme ekonomike në periudhën afatmesme, si dhe do të ndihmojë në ngushtimin e hendekut të të ardhurave me vendet anëtare.

Ky rikonfirmim i vlerësimit nga Moody’s është një tregues mjaft i rëndësishëm i stabilitetit makroekonomik të Shqipërisë dhe progresit të vazhdueshëm të reformave strukturore, çka jep sinjale pozitive për investitorët ndërkombëtarë dhe mbështet objektivat strategjikë të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

Top Channel