
Kujdes çfarë komentoni në rrjete sociale dhe kujt i drejtoheni…
Gjuha e urrejtjes, ngacmimet, kërcënimet, përndjekjet apo çdo shkelje që ndodh përmes internetit në hapësirën digjitale si dhe gjithashtu dhuna e ushtruar ndaj grave në politikë, pritet të ndëshkohen.
Projektligji i cili është në konsultim publik propozon krijimin e një baze ligjore për të parandaluar dhunën online si dhe për të mbrojtur gratë që angazhohen në jetën politike.
Në grupin e të mbrojturave do të përfshihen veç grave deputete, edhe ato që kandidojnë në zgjedhje, si dhe gratë që kryejnë një funksion publik apo politik.
Dhunë dhe ngacmim nuk do të konsiderohet vetëm ajo drejtuar grave në politike, por edhe kundër pjesëtarëve të familjes së tyre. Pra që ka për qëllim t’i përjashtojë, ndalojë,pengojë apo tërheq nga pjesëmarrja e angazhimit të tyre politik”.
Drafti ka për qëllim parandalimin, reduktimin dhe mbrojtjen nga të gjitha format e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje në veprimtarinë publike, private, përfshirë dhunën online ku madje kërkohet të ndërtohet regjistri kombëtar i dhunës digjitale.
Neni 23: Urdhri administrativ për heqjen e imazheve/ materialeve të dëmshme
Ndalohet publikimi, postimi ose shpërndarja e çdo materiali (shkrim, audio-video, simbol, mesazh elektronik) që fyen, poshtëron ose provokon dhunë ndaj një personi për shkak të racës, etnisë, bindjeve politike, fetare ose filozofike, gjendjes ekonomike, arsimore ose shoqërore, shtatzanisë, moshës, gjendjes familjare ose martesore, pamjes së jashtme, aftësisë së kufizuar, ose për çdo shkak tjetër, gjatë veprimtarive politike.
Masat e mbrojtjes nga dhuna ndaj grave në politikë, përfshirë formën digjitale mund të merren duke bllokuar materialet ofenduese ose seksiste brenda 12 orësh, të urdhërohet ndalimi i autorit të dhunës për të marrë pjesë në fushatë për një afat deri në 30 ditë apo ofrimi i mbrojtjes policore të përkohshme. Gratë e dhunuara kanë të drejtën e të kërkuarit edhe urdhër mbrojtje.
Kjo shihet si masë e përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë europian si dhe nevojë që e kërkon evolimi i shoqërisë sonë moderne.
Në projektligj parashikohet edhe zbatimi i programeve të rehabilitimit si për viktimat edhe për dhunuesit, ku synohet trajtimi psiko-social për të ulur rrezikun e përsëritjes së dhunës.
Mospjesëmarrja në një program të urdhëruar nga gjykata për dhunuesin përbën shkelje të vendimit dhe sjell pasoja penale, specifikon dispozita ligjore.
Masat e ndërmarra më tej parashikojnë edhe fshirje të përmbajtjes dashakeqëse online apo edhe bllokimit të profilit të dhunuesit. Në rast mosrespektimi, AKEP është përcaktuar si institucioni që do të vendos gjoba deri në 500 000 lek për çdo 24 orësh vonesë.
Top Channel