
Bashkia e dytë më e madhe në vend, ajo e Durrësit ka marrë një sërë ambientesh me qira ku ushtrojnë aktivitetin institucione në varësi. Kontratat janë 5 mujore deri në 1-vjeçare. Bashkia tha se shkak për marrjen e ambienteve me qira është tërmeti i 26 nëntorit të 2019 që shkatërroi godinat.
Ky institucion i pushtetit vendor nuk raportoi se sa paguan për secilin ambient me qira në kërkesën për informacion dërguar nga Inside Story.
Njësia administrative 2 dhe 3, tre kopshte, mensa dhe qendra sociale e integruar ushtrojnë funksionin në ambiente të marra me qira. Për njësinë administrative numër tre janë paguar 127.500 lekë në muaj për sipërfaqen prej 129 metër katror. Për magazinën që përdoret për të mbajtur pajisje arsimore pushteti vendor paguan 204 mijë lekë.
Për qendrën komunitare e shtrirë në një sipërfaqe prej 335 m² qiraja e paguar është 284.750 lekë. Ndërtesa për Njësinë Administrative Katundi Ri është 200 m² dhe kushton 51 mijë lekë, ndërsa zyrat në njësinë administrative Ishëm i kushtojnë bashkisë 40.250 lekë.
Një institucion tjetër i rëndësishëm, Biblioteka e Qytetit është në një ambient me qira. Në fakt është e njëjta pronë në të cilën është vendosur shumë vite më parë, në një sipërfaqe prej 357 metra katrorë. Kjo pronë i është rikthyer pronarit duke e detyruar shtetin që të paguajë qira për të vijuar të japë këtë shërbim për qytetarët.
Zyrtarisht Bashkia nuk tregoi qiranë e këtij institucioni, ndërsa Inside Story mësoi se për pesë vitet e fundit nga 2021 deri në 2025 janë shpenzuar 22.3 milionë lekë, ose rreth 222 mijë euro për qira dhe mirëmbajtje të saj. Që nga themelimi i bibliotekës e deri më sot gjithçka ka ndryshuar dhe popullsia e Durrësit është shumëfishuar, e vetmja që mbetet e pandryshuar është biblioteka e qytetit.
Durrësi paraqet të njëjtën problematikë si Tirana, duke vijuar që për zyrat e njësive administrative të paguajë qira mujore dhe të mos krijojë një vizion afatgjatë për t’i blerë këto ambiente. E njëjta gjë ndodh edhe me kopshtet.
Bashkia e Durrësit është një ndër bashkitë që për ndërtimet e reja ka aplikuar taksën 3% ndaj ndërtuesit. Megjithatë, nga momenti që ka hyrë në fuqi ky vendim, Strehimi Social pranë Bashkisë Durrës ka përfituar para vetëm nga një subjekt. Konkretisht pushteti vendor ka shtuar në buxhetin e bashkisë 4.7 milionë lekë të rinj.
Nga Viti 2021 deri në 2024 gjithashtu bashkia përfitoi 6 ambiente, nga 6 subjekte private. Nuk janë vetëm Bashkitë kanë marrë ambiente me qira për zyra. Edhe institucionet e tjera ndodhen në të njëjtën situatë. Posta shqiptare ka marrë me qira 51 ambiente për degët e saj vetëm në Tiranë.
Ato ndodhen në zona të ndryshme të kryeqytetit dhe sipërfaqja ndryshon nga zona në zonë. Referuar të dhënave të Postës, ambienti me qira më të lartë ndodhet Rrugën “Reshit Petrela”, ku është e vendosur posta 5/1, me sipërfaqe 271 metër katror dhe kosto rreth 4 mijë euro.
Në rrugën “Themistokli Gërmenji”, Tiranë është vendosur Zyra Postare Nr.29, me sipërfaqe 130 m2, me vlerë 1 mijë e 300 euro.
Posta numër 2 në Tiranë ndodhet në zonën e Komunës e Parisit, Rr. “ Dhimitër Shyteriqi”, godina 8-katëshe, me sipërfaqe 135 m2 me njëmijë e njëqind e pesëdhjete Euro.
“Selita është 8€/m², kodra e diellit 12€/m², kopshti botanik dhe zoologjik është 13 €/m², Liqeni i Thatë 14€/m², Komuna e Parisit 18€/m², Ali Demi 9€/m², Rruga Bardhyl 16€/m², Rruga e Dibrës 14 €/m², Siri Kodra te ish Punishtja e Pastave është 13€/m².
Ish-Stacioni i Trenit është 14€/m², Don bosko 9€/m² dhe këtu jemi duke folur për hapësira komerciale tregtare të cilat shpesh herë miksohen me njëra-tjetrën për shkak të vendosjes, në katin e parë, apo 0 kati teknik”, u shpeh Reinaldo Pipiria, Drejtor Ekzekutiv i NAREA.
Drejtoria e Doganave i tha “Inside Story” se ka marrë me qira 8 ambiente, ku një prej tyre është vetë drejtoria e këtij institucioni, i vendosur në një ambient me sipërfaqe 1500 metër katror. Kostoja mujore është rreth 2.1 milionë lekë ose 21 mijë euro në muaj. Pra, plot 250 mijë euro në vit.
Në tërësi për të gjithë objektet e degëve të doganës janë shpenzuar mbi 300 milionë lekë në vit ose 300 mijë euro. Dihet se objektet apo sipërfaqet e marra, janë nevojë e përhershme. Me këto para, shteti mund ti ndërtonte apo blinte sipërfaqet nëse kursehen paratë për disa vite.
Të gjitha këto kosto për qiramarrje ambientesh rendojnë buxhetin ndërsa mbetet e paqartë nëse janë kryer studime apo nëse po bëhen përpjekje për zgjidhje afatgjata.
“Për të pasur një rregull të artë dhe të përgjithshëm, në përgjithësi apartamentet të cilat janë në përdorim për apartamente pra hapësira që shkojnë drejtpërdrejtë për përdorim për apartamente mesatarisht është 6-8€/m², në momentin që këto apartamente transformohen në hapësira për zyra, shkojnë diku të 8-10€/m², po flasim për zonën e qytetit”, u shpeh Pipiria.
“Në momentin që flasim për hapësira tregtare shkon mesatarisht 1,5-2 fish të çmimit të banesave. Pra katet 0 janë mesatarisht 2 herë më të shtrenjta se katet sipër”, përfundoi ai.
Top Channel