9.5 mld lekë dëme nga zjarret/ Mbyllet vlerësimi në Delvinë, banorët do dëmshpërblehen për dëmet

08/10/2025 20:36

Në Delvinë ka mbaruar vlerësimi paraprak i dëmeve që shkaktuan zjarret e verës.

Dëmet më të mëdha janë në bujqësi, por edhe në banesa. Katër grupe konstatimi punuan gjatë gjithë kësaj kohe në terren për vlerësimin e dëmeve që kap afërsisht shifrën e 9.5 miliardë lekëve.

“16 banesa te dëmtuara, 622 koshere bletësh të djegura, 66 mijë e 965 ullishte, 18 mijë e 252 pemë frutorë, janë 30 krerë dhe dy kisha të dëmtuara në zjarret e ndodhura në fund të korrikut në njësinë e Vergoit dhe në Bashkinë e Delvinës”, tha Anefi Braho-përgjegjës i emergjencave në Delvinë.

Menjëherë pas vlerësimit të saktë të dëmeve, pritet që qeveria t’u vijë në ndihmë banorëve që pësuan dëme, duke garantuar mbështetje për rimëkëmbjen e tyre.

“Me anë të një VKM të veçantë, qeveria do dëmshpërblejë të gjithë banorët e prekur”, u shpreh Besmir Veliu-kryetari i Bashkisë Delvinë.

Në prag të dimrit, ekspertët thonë se përveç zjarreve njësia administrative e Vergoit rrezikohet edhe nga përmbytjet. Ata druhen se lumi i Klasës mund të dalë jashtë kontrollit.

Top Channel