Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, studentët e drejtësisë: U tronditëm/ Reagojnë edhe të rinjtë e juridikut: Salla e gjyqit duhet të jetë e sigurt

07/10/2025 19:44

11 vite më parë Elvis Shkëmbi u regjistrua në programin e historisë në Universitetin e Shkodrës, studime të cilat nuk i përfundoi me diplomim.

31-vjeçari ka hedhur poshtë studimet duke lënë shenjë në historinë e shtetit shqiptar si qytetari që vrau gjykatësin në sallën e gjyqit, akt që u cilësua si një goditje jo vetëm e një individi përgjatë detyrës, por edhe të shtetit të së drejtës.

Në auditoret e kryeqytetit ku arsimohen punonjësit e sistemit të drejtësisë mbizotëron tronditja, ashtu si kudo tjetër. Por edhe më thellë kur studentët e juridikut mendojnë se në Gjykata mund të jetë puna e tyre nesër.

Studentët e juridikut:

“Është pak e frikshme, të mendosh ku do të shkosh pasi të dalësh nga bankat e universitetit, në profesion”.

“Kishte tronditje mes studentëve, ishte tronditëse si ngjarje, duhet të ketë më shumë siguri”.

“Duhet të mbahet një konferencë për këtë se është shumë serioze. Si një akt ndërgjegjësimi më tepër, jo thjesht në Fakultetin tonë”.

Në sytë e studentëve të Fakultetit të Drejtësisë sistemi ligjor po ofron pasiguri. Kur konsiderojnë se do të jetë ky realiteti i tyre pasuniversitar, bëjnë thirrje për të fuqizuar  figurën e gjykatësve, prokurorit,  avokatëve apo juristëve.

“Gjykata është një institucion që të jetë i sigurtë dhe jo një vend që magjistratët ndihen të kërcënuar. Vendimet kanë shumë rëndësi është si fusha e mjekësisë që çdo vendim ka të bëjë me jetën e njerëzve. Gabimet janë të pafalshme. Duhet përmirësuar gjithë sistemi! Dua të jem një faktor që të bëjë një ndryshim në këtë sistem”.

“Diçka që na ndikon neve sepse e shikojmë si punën në të ardhmen. Duhet të dimë sa të sigurt jemi. Nuk mund të futemi në sallën e gjyqit që do vijë dikush e do të na vras”.

“Figura e gjyqtarit sot anatemohet, duhet patjetër një zgjidhje që të ul ngarkesën e gjyqtarëve por në të njëjtën kohë edhe të shtojë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë”.

Vetë të rinjtë e shohin me shqetësim mungesën e besimit të shoqërisë shqiptare te drejtësia dhe kërkojnë ushqimin e një fryme të re në këtë sektor.

“Sistemi i drejtësisë ka nevojë për përmirësim dhe po nuk e bëmë ne kush do të jenë ata që do e marrin në dorë fatin?”

“Njerëzit duhet të besojnë në sistemin e drejtësisë dhe kjo vjen vetëm duke ulur korrupsionin. Unë besoj se do e bëjmë ndryshimin së bashku me kolegët e mi!”

Megjithëse, gjen mes studentëve edhe të pa interesuar.

“Nuk e shoh me rëndësi. E kemi dëgjuar si lajm, por nuk e kemi diskutuar se kemi pasur mendjen te shkolla”.

Top Channel