I kishte premtuar Edi Ramës se do ta vizitonte Shqipërinë, kryebashkiaku i New York-ut: Një vend i mrekullueshëm me njerëz miqësorë

07/10/2025 18:30

Kryebashkiaku i New York-ut Eric Adams gjatë një vizite zyrtare në Shqipëri,  ka vlerësuar zhvillimin e turizmit dhe sigurinë në vend, duke e quajtur Shqipërinë “një vend të mrekullueshëm me njerëz miqësorë.

Disa vite më parë, djali im erdhi të performonte këtu dhe më tha se ishte një vend shumë i bukur. Gjatë kohës që kam qenë në detyrë, kam qenë gjithashtu në kontakt me Kryeministrin dhe i kisha premtuar se do të vija për të parë zhvillimin e turizmit dhe për të diskutuar çështje që lidhen me sigurinë publike dhe tema të tjera të ngjashme. Kjo ndodhi rreth një vit më parë, por atëherë nuk ishte koha e duhur.

Sot shoh se turizmi ka ecur përpara, por ne dëshirojmë ta përmirësojmë edhe më tej dhe të sjellim risi përmes bashkëpunimit tonë. New York-u është si ‘Shqipëria e Amerikës’. Vendi juaj është i mrekullueshëm dhe njerëzit tuaj janë shumë miqësorë, keni një ndjenjë sigurie të jashtëzakonshme. Mund të ecësh natën në rrugë pa asnjë problem.

Aktualisht po shqyrtojmë disa vende me të cilat mund të zgjerojmë bashkëpunimin, dhe do të dëshironim shumë të krijonim një linjë të drejtpërdrejtë ajrore mes New York-ut dhe Shqipërisë, ashtu siç kemi bërë me Azerbajxhanin. Vlora është një qytet i bukur dhe një vend ideal për shkëmbim përvojash. Ju ftoj të vini në New York, ashtu si edhe ne do të vijmë me kënaqësi në vendin tuaj”, është shprehur kryebashkiaku.

Eric Adams shtoi se bashkëpunimi në fushën e turizmit dhe inovacionit është një mundësi e re për të forcuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës

“New York-u është si Shqipëria e amerikaneve pasi në New York kemi një popullsi te madhe shqiptarësh”, përfundoi ai.

Top Channel