
“Ngjarja e sotme është një alarm për gjendjen e sigurisë ku ushtrojnë funksionin magjistratët”, deklaron Gjykata e Posaçme, ndërsa reagoi për ngjarjen e rëndë, vrasjen në sallën e Apelit të gjyqtarit Astrit Kalaja.
Ndërsa shpreh ngushëllime të sinqerta për humbjen e një profesionisti në krye të detyrës, GJKKO thekson se ky akt kriminal është një kërcënim serioz ndaj pavarësisë së gjyqësorit.
Reagimi i GJKKO:
Trupa gjyqësore e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpreh me dhimbje dhe indinjatë të thellë reagimin ndaj ngjarjes tragjike të ndodhur sot, ku humbi jetën në mënyrë të dhunshme gjyqtari i Gjykatës së Apelit, z. Astrit Kalaja.
Në këto momente të vështira, shprehim ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin tonë
me familjen, të afërmit dhe kolegët e gjyqtarit Kalaja. Humbja e një përfaqësuesi të drejtësisë në mënyrë të tillë është një goditje e rëndë për të gjithë sistemin gjyqësor dhe për shoqërinë shqiptare në tërësi.
Ngjarja e sotme është një alarm për gjendjen e sigurisë në të cilën ushtrojnë funksionin magjistratët në Republikën e Shqipërisë. Gjyqtarët janë shtylla të sistemit të drejtësisë dhe garantues të shtetit të së drejtës, ndaj siguria e tyre personale është jo vetëm një detyrim institucional, por një domosdoshmëri për funksionimin normal të sistemit
demokratik dhe sundimit të ligjit.
Ky akt kriminal është një kërcënim serioz ndaj pavarësisë së gjyqësorit, integritetit të funksionit të magjistratit dhe besimit të qytetarëve në shtetin e së drejtës. Askush që mban mbi supe përgjegjësinë për të garantuar zbatimin e ligjit nuk duhet të ndjehet i pambrojtur.
Top Channel