
Dy janë pistat kryesore ku policia e Vlorës i ka orientuar hetimet për vrasjen me eksploziv të Isuf Jaçajt.
Pista më e fortë e hetimeve është një vrasje për hakmarrje që lidhet me ngjarjen e 17 korrikut ku u tentuan të eliminonin Gëzim Hajdaraj, 33 vjeç dhe Ernest Lama, 24 vjeç, të dy nga Kamza, të cilët në këtë ngjarje mbetën të plagosur.
Hetimet zbuluan se i biri i Isufit, Klaus Jaçaj, ndihmoi në këtë krim autorët Ramadan Zoto, i njohur edhe me mbiemrin Canaj, së bashku me të vëllanë Erjonin.
Konflikti dyshohet se nisi për shfrytëzimin e një hapësire plazhi të cilën Zoto e kishte marrë me qira nga Bashkia prej 4 vitesh, por që kishte pretendime nga një person tjetër që kishte punësuar si badigard të plagosurit.
Kjo ngjarje u pasua edhe me një tjetër 4 ditë më vonë, ku më 21 korrik në oborrin e banesës së 31-vjeçarit Klaus Jaçaj shpërtheu eksploziv dhe u dëmtua mjeti i tij i parkuar. Por pavarësisht se si Ramadan Zoto dhe Klaus Jaçaj ndodhen në burg duke u përgjigjur për krimin e kryer, hesapet me kundërshtarët quhen të palara.
Pistë tjetër hetimi është dhe ajo e një vrasje për konfliktet që vetë 58-vjeçari mund të ketë pasur pasi rezulton i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.
Nga ekspertiza ka rezultuar se lënda shpërthyese ka qenë e fshehur në kamionin e makinës dhe është aktivizuar me një thirrje telefonike. Kjo i ka shtyrë hetuesit që përgjigjen e pyetjes se kush fshihet pas këtij krimi të rëndë ta kërkojnë te qelizat telefonike që kanë pulsuar në zonë në momentin e shpërthimit.
Policia po punon me pamjet e kamerave të sigurisë në të gjithë itinerarin që 58-vjeçari ka pasur ditët e fundit me shpresë për të kapur momentin kur lënda plasëse është vendosur në mjet. Dyshimet janë se viktima është vëzhguar në distancë nga personi që aktivizoi lëndën plasëse pasi e priti Isuf Jaçajn të ngrihej nga lokali dhe të lëvizte vetëm pak metra me makinë para se ajo të shpërthente dhe t’i merrte jetën.
Top Channel