Vrasja e gjyqtarit në sallën e Apelit/ “Akt tepër i rëndë”, Prokuroria e Përgjithshme: Të forcohet siguria e magjistratëve, kemi nisur hetimet për ngjarjen

06/10/2025 21:55

Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar për vrasjen e  gjyqtarit Astrit Kalaja, në sallën e Gjykatës së Apelit. 

Në një deklaratë publike, Prokurori i Përgjithshëm e vlerëson si shumë të rëndë ngjarjen e ndodhur sot në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, “e cila përveç se ka sjellë humbjen e jetës së një njeriu dhe plagosjen e dy të tjerëve, në të njëjtën kohë ka cenuar thelbësisht funksionimin e shtetit ligjor”.

“Prokurori i Përgjithshëm i përcjell ngushëllimet familjes së gjyqtarit Astrit Kalaja dhe bën thirrje që të gjithë të ndërgjegjësohen e të kontribuojnë për forcimin e sigurisë së magjistratëve në të gjitha aspektet.

Prokurori i Përgjithshëm i ka kërkuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, të kryejë një hetim të shpejtë dhe të plotë të ngjarjes në bashkëpunim me Policinë e Shtetit”, thuhet në deklaratë.

 

Top Channel