Vrasja e gjyqtarit brenda sallës së gjyqit, reagon Ervin Salianji: Ky moment tmerri nuk mund të kalojë pa përgjegjësi dhe veprim të vendosur

06/10/2025 16:35

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur mesditën e sotme, ku brenda sallës së Gjykatës së Apelit në Tiranë, duke kryer detyrën, gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua me armë zjarri nga Elvis Shkambi.

Për këtë ngjarje ka reaguar menjëherë edhe ish-deputeti i PD, Ervin Salianji, i cili thekson se kjo ngjarje nuk mund të kalojë pa përgjegjësi dhe veprim të vendosur.

“Sot, kur një magjistrat është vrarë brenda mureve të gjykatës, në ambientin që duhet të jetë me i sigurti në republikë, nuk kemi të bëjmë thjesht me një krim të rëndë. Kemi të bëjmë me shfaqjen publike të dobësisë së sistemeve që duhet të na mbrojnë nga dhuna: policia, protokollet e sigurisë dhe shpërndarja e përgjegjësisë brenda shtetit. Duke ngushëlluar familjarët e gjyqtarit dhe personave të plagosur, ky moment tmerri nuk mund të kalojë pa përgjegjësi dhe veprim të vendosur.

Dhuna brenda një institucioni të drejtësisë është një goditje ndaj themeleve të shtetit ligjor. Sulmet ndaj magjistratëve janë jo vetëm tragjedi për familjet dhe kolegët, por edhe sinjal i qartë që institucionet tona po dështojnë në detyrën më themelore: të sigurojnë rregullin dhe të mbrojnë qytetarin dhe zbatimin e ligjit. Në të kaluarën kemi parë raste sulmesh dhe kërcënimesh ndaj magjistratëve, që tregojnë se rreziku ndaj institucioneve është i pranishëm dhe shqetësues.
Krimi trimërohet kur ulet në tavolina vendimmarrjesh!”, shkruan Salianji.

Top Channel