
Pas dy vitesh hetime, Prokuroria e Tiranës ka dhënë masat e sigurisë për pesë persona, përfshirë mjekë, stomatologë dhe ekspertë mjekoligjorë, të akuzuar për “vrasje nga pakujdesia”, “mashtrim në bashkëpunim” dhe “shpërdorim detyre”.
Sipas ekspertizës së kryer në Itali, shkeljet e protokolleve mjekësore gjatë trajtimit kanë pasur lidhje të drejtpërdrejtë me vdekjen e 3-vjeçarit, Brian Spahiu.
Mjeku Roland Xhaxho, i cili kishte dhe klinikën dentare u la në masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’.
Ina xhaxho, vazja e mjekut, është lënë në ‘arrest në shtëpie’.
Njoftimi i Prokurorisë:
I mituri ndërroi jetë pas një ndërhyrje dentare, Prokuroria Tiranë jep masa sigurie për 5 persona për ‘Vrasje nga pakujdesia’, ‘Mashtrim në bashkëpunim’ e ‘Shpërdorim detyre’
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, ka dhënë masa sigurie për pesë persona për veprat penale ‘Vrasja nga pakujdesia’, ‘Mashtrim në bashkëpunim’ e ‘Shpërdorim detyre’, në kuadër të hetimeve mbi rastin e vdekjes së një të mituri, 3-vjeçar pas një ndërhyrje dentare në një klinikë në kryeqytet. Prokuroria në vijim të hetimeve të nisura mbi procedimin penal nr.6477, datë 05.10.2023, ka marë si persona në hetim shtetasit:
1 – R. Xh., për kryerjen e veprës penale “Vrasje nga pakujdesia”, parashikuar nga neni 85 i K.Penal si dhe për veprën penale të parashikuar nga neni 180/a i Kodit Penal;
Mbi bazën e kërkesës së prokurorit, gjykata ka vendosur për këtë person, masën e sigurimit ‘Arrest në shtëpi’ parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale.
2 – I.Xh., e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje nga pakujdesia”, parashikuar nga neni 85 i K.Penal dhe “Mashtrim”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 143/2 i K.Penal;
3- M. G., e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje nga pakujdesia”, parashikuar nga neni 85 i K.Penal dhe “Mashtrim”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 143/2 i K.Penal;
Nga ana e prokurorit për personat nën hetim I.Xh dhe M.G u kërkua masa e sigurimit ‘Arrest në burg’, gjykata vendosi masën e sigurisë ‘Arrest në shtëpi’ parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale.
4 – E.S., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 i K.Penal; dhe
5 – E. A, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 i K.Penal.
Mbi bazën e kërkesës së prokurorit, gjykata ka vendosur për këta persona, masën e sigurimit ‘Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik’ parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale.
Në vijim të hetimeve që lidhen me ngjarjen e datës 28.09.2023, kur i miturit B.S, i moshës 3 vjeç, i është nënshtruar një ndërhyrje dentare në 14 dhëmbë tek Klinika “Splendent” drejtuar nga mjekët R.Xh dhe I. Xh. I mituri pas ndërhyrjes kthehet në shtëpi dhe brenda pak orësh dërgohet në gjendje të rëndë shëndetësore (koma dhe insuficencë respiratore akute), në Spitalin e Pediatrisë në Qëndrën Spitalore “Nënë Tereza”, Tiranë, ku dhe më pas në datën 01.10.2023, ka ndërruar jetë.
Për shkak të mangësive dhe konkluzionit të paargumentuar në aktin e ekspertimit mjekoligjor të kryer nga ekspertët e I.M.L.-së, nga ana e prokurorit të çështjes Alma Felaj, për një hetim të plotë, të gjithanshëm e objektiv të çështjes penale, në datën 10.12.2023, u vendos kryerja e riekspertimit mjekoligjor dhe ekspertimit mjekoligjor shtesë multidisiplinar me grup ekspertësh. Për këtë qëllim, u kërkua ndihmë juridike autoriteteve italiane të drejtësisë, duke kërkuar kryerjen e riekspertimit mjekoligjor dhe ekspertimit mjekoligjor shtesë multidisiplinar me grup ekspertësh në shtetin italian.
Sipas aktit të riekspertimit mjekoligjor dhe ekspertimit mjekoligjor shtesë, nga ana e grupit ekspertëve italianë u arrit në konkluzionin se:
Shoku septik i rëndë, që solli më pas insufiçencën progresive shumëorganore, është shkaku kryesor i vdekjes të pacientit të mitur B.S. Grupi i ekspertëve arriti në përfundimin se gjatë ndërhyrjes dentare dhe procedurës së anestezisë, nga ana e anestezistit dhe stomatologeve që kanë trajtuar të miturin, janë konstatuar shkelje të rënda të protokolleve mjekësore ndërkombëtare dhe praktikave më të mira mjekësore, të cilat kanë një lidhje shkakësore të drejtpërdrejtë me vdekjen e tij. Këto shkelje kanë konstatuar në:
– moszbatimin, moskryerjen e kontrolleve dhe verifikimeve të nevojshme për identifikimin e saktë të gjendjes klinike para operacionit të pacientit; mosformulimin në mënyrë adekuate të diagnozës para operacionit dhe mostrajtimin e duhur profilaktik para operacionit dhe në vazhdim. I mituri iu nënshtrua një procedure kirurgjikale pa u vizituar në mënyrë adekuate, pa një diagnozë të saktë, pa një indikacion të arsyetuar, pa specifikuar alternativat dhe pa kryer testet e nevojshme dhe të detyrueshme për gjendjen klinike të pacientit;
– ndërhyrje e kryer, e cila ishte më e gjerë se sa lejohej për një fëmijë të moshës 3 vjeç dhe induksioni i anestezisë së përgjithshme për një periudhë prej rreth 5 orë, për të trajtuar njëkohësisht shumë dhëmbë, mes të cilëve disa me infeksion të pulpës me rreziqet që lidhen me anestezinë e përgjithshme dhe kontrollin e vështirë të infeksioneve postoperative, evidenton përgjegjësinë për trajtim të tepërt
– nxjerrjen plotësisht e papërshtatshme nga spitali i të miturit, duke mos marrë parasysh gjithashtu rreziqet që lidhen me anestezinë dhe patologjitë nga të cilat vuante fëmija, e sidomos arsyet për një kohë të zgjatur zgjimi, pas ndërhyrjes si dhe shenja të tjera klinike.
Grupi i ekspertëve italianë ka konstatuar shkelje të rënda të protokolleve mjekësore në kryerjen e autopsisë dhe ekspertizës mjekoligjore, nga ana e ekspertëve të I.M.L.-së, shtetasit E.S dhe E. A.
Gjithashtu grupi i ekspertëve italiane ka konstatuar shkelje të protokolleve mjekësore nga ana e mjekëve reanimatorë të Pediatrisë, të cilët kanë trajtuar të miturin B.S.
Nisur nga ky fakt, nga ana e organit të akuzës janë marrë si persona nën hetim , shtetasit V. H dhe D. S, me detyrë mjekë në terapinë intensive pranë Pediatrisë në QSUT, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Neglizhenca ne trajtimin mjekësor ” të parashikuar nga neni 96/1 i Kodit Penal.
Top Channel