Universitetet hapin dyert, në Korçë janë regjistruar gjithsej 482 studentë

06/10/2025 09:04

Në Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës ka përfunduar faza e tretë e raundit të dytë të regjistrimeve për sistemin “Bachelor” dhe programet profesionale dyvjeçare.

Deri në këtë moment janë regjistruar gjithsej 482 studentë, ose 15 më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Prej tyre, 369 i përkasin programeve “Bachelor”, ndërsa 113 janë regjistruar në programet profesionale dyvjeçare.

Sipas të dhënave, Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Humane kryeson me 190 studentë, ndjekur nga Fakulteti Ekonomik me 127, Fakulteti i Edukimit me 103, dhe Fakulteti i Bujqësisë me 62 regjistrime.
Në disa degë, si Frëngjisht dhe Gjuhë-Letërsi Shqipe e Gjuhë Pakicash, nuk është regjistruar asnjë student.

Më të kërkuarat këtë vit rezultojnë degët Infermieri, Mami, Sporte, Informatikë, Financa dhe Anglisht, ndërsa interes optimist është vërejtur edhe në Fakultetin e Bujqësisë, sidomos në degën e Teknologjisë Ushqimore dhe në programet e mësuesisë, të cilat kanë realizuar numrin minimal të nevojshëm për hapjen e tyre.
Procesi i regjistrimeve do të vijojë me përfundimin e raundeve të dytë dhe të tretë.

Ndërkohë, në të njëjtën periudhë kanë përfunduar edhe aplikimet për programet master shkencor dhe profesional, me gjithsej 463 aplikime.

Në masterin shkencor janë regjistruar 148 kandidatë, ndërsa në atë profesional 315.
Sipas fakulteteve, më i kërkuari është Fakulteti i Edukimit me 200 aplikime, ndjekur nga Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Humane me 135, Fakulteti Ekonomik me 88, dhe Fakulteti i Bujqësisë me 40 aplikime.

Disa programe, si Masteri Shkencor në Shkencat Bujqësore, Arsimi Special dhe Arsimi Fillor, kanë tejkaluar kuotat e pranimit, ndërsa masterat e tjerë kanë ende vende të lira.

Top Channel