UEFA dhe Superliga mund të jenë më pranë një marrëveshjeje historike. Burime të reja raportojnë se palët kanë zhvilluar bisedime për krijimin e një formati të ri të Champions League, i cili do të nisë pas vitit 2027, kur skadojnë të drejtat aktuale televizive të turneut.

Superliga, e shpallur fillimisht në prill 2021 nga 12 klube të mëdha, shkaktoi reagime të ashpra dhe u rrëzua pothuajse menjëherë, duke mbetur vetëm Real Madrid si mbështetës i saj i fundit. Megjithatë, ideja nuk është zhdukur kurrë plotësisht dhe tashmë duket se mund të rikthehet në një formë të re nën drejtimin e UEFA-s.

Sipas gazetares Arancha Rodríguez, plani parashikon ruajtjen e fazës së ligës dhe të eliminimit direkt, por me disa ndryshime të rëndësishme. 36 skuadrat pjesëmarrëse do të ndaheshin në dy grupe prej 18 ekipesh secili. Grupi i parë do të përfshinte skuadrat më të mira sipas renditjes së UEFA-s, ndërsa grupi i dytë ekipet e tjera. Çdo skuadër do të zhvillonte tetë ndeshje vetëm kundër rivalëve brenda grupit të saj.

Kualifikimi do të mbetet i lidhur me performancën në kampionatet vendase dhe koeficientin e ligave. Tetë skuadrat e para të grupit të elitës do të kalonin direkt në fazën me eliminim, ndërsa pjesa tjetër e procesit të kualifikimit është ende në diskutim.

Ndryshimi më i madh pritet të vijë jashtë fushës së lojës. UEFA synon të krijojë një platformë të vetën transmetimi – një shërbim “Netflix-style” – duke mos i shitur të drejtat televizive te rrjetet tradicionale. Ky model do ta bënte turneun potencialisht më të lirë për tifozët, madje edhe falas për disa ndeshje, ndërsa të ardhurat do të siguroheshin përmes reklamave.

Nëse këto plane realizohen, Champions League do të ruajë emrin e saj historik, por në praktikë do të jetë një turne i ri që bashkon elementët e formatit aktual dhe konceptit të Superligës.

Top Channel