
Në datën 8 tetor, pra këtë të mërkurë, përfundon afati i vendosur nga KLP për çdo prokuror i cili ka ambicie për të konkurruar për drejtimin e SPAK, me një mandat trevjeçar.
Ndërsa ka nisur numërimi mbrapsht, deri në këto momente e ka dorëzuar platformën vetëm Klodian Braho, ndërsa pritet ta shprehin interesin edhe Doloreza Musabelliu, Adnan Xholi, Elvin Gokaj dhe Sotir Kllapi.
Me Altin Dumanin në ikje, por që duket se po jep mbështetjen e tij në hije, e sigurt është që disa nga prokurorët e posaçëm që do të hyjnë në garën për marrjen e stafetës së radhës e kanë nisur fushatën e tyre shumë përpara se ajo të çelej nga KLP. Ashtu siç është e sigurt se llogaritja e votave të këshillit të përbërë nga 11 anëtarë ka nisur përpara zyrtarizimit të emrave.
Secili nga pretenduesit e përfolur nuk i shfrytëzoi dy javët e para të konkurrimit, dhe kanë pritur minutat e fundit për vendimmarrjen më të rëndësishme të ngritjes në karrierë. Gongu për startin ka rënë prej 17 shtatorit dhe, siç kuptohet, tre ditët e kësaj jave deri në orën 24 të së mërkurës janë domethënëse, për ta zhvendosur më pas fushën magnetike në këshill, ku dhe loja do të bëhet sipas votave.
Megjithëse gjatë këtij afati kambanat e ndërkombëtarëve kanë rënë mjaftueshëm. Një ndër sinjalet u dha nga diplomatja Nancy Vanhorn në takimin me shefen e KLP, një vizitë që më pas u njoftua nga ambasada amerikane se kishte ndodhur për ngjarjet e rëndësishme që do të zhvillohen në këshill.
Pa emra të dukshëm në tavolinë, amerikanët paralajmëruan se integriteti i procesit për zgjedhjen e Drejtuesit të SPAK është thelbësor për vazhdimin e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe për forcimin e sigurisë mes dy vendeve.
Vizitat kanë pasuar edhe në vazhdim në SPAK, atje ku mes 20 prokurorëve të posaçëm dhe mes emrave të përfolur nuk gjenden emrat e Arben Krajës dhe Altin Dumanit.
Të dy e kanë të ndaluar të garojnë sepse ligji nuk ua lejon rizgjedhjen me mbarimin e mandatit të kryeprokurorit që njëri e mbajti deri në fund të 2022, dhe tjetri e ka deri më 18 dhjetor të këtij viti. Sidoqoftë kjo nuk i ndalon që, me zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, të kenë bërë llogari që sipas mbështetjes që do japin të qëndrojnë shefa në 2 departamentet e SPAK, si ai i hetimit të korrupsionit apo të krimit të organizuar, stafeta që i kanë kaluar tek njëri-tjetri prej hapjes së SPAK.
Kur mundësitë mbeten për 18 të tjerët, pritet që për shumë arsye pak prej tyre të masin forcat në garë e të tregojnë eksperiencën se si kanë hetuar, ndonëse në takimet informale ndërkombëtarët i kanë nxitur të gjithë. Mes këtyre kandidatëve që janë përfolur që në orët e para të çeljes së garës, veç prokurorit Klodian Braho që kryeson sektorin antikorrupsion, bëhet me dije se po përgatisin platformat Adnan Xholi, shef i sektorit kundër krimit të organizuar, Doloreza Musabelliu dhe Elvin Gokaj. Por po diskutohen edhe Sotir Kllapi, Anita Jella dhe Vladimir Mara.
Top Channel