
Edhe universiteti “Aleksandër Moisiu” i Durrësit nisi sot zyrtarisht viti i ri akademik 2025–2026.
Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e universitetit në Spitallë mori pjesë Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dhe zv.ministrja e Arsimit, Ana Kapaj, të cilët përcollën mesazhe inkurajuese për studentët e rinj dhe trupën akademike.
Në fjalën e tij, rektori i universitetit, profesor Shkëlqim Fortuzi, u shpreh se ky vit shënon një tjetër hap përpara për UAMD-në, që vijon të zgjerojë ndikimin e tij akademik brenda dhe jashtë vendit.
“Mbi 1900 maturantë zgjodhën këtë vit Universitetin ‘Aleksandër Moisiu’ për të studiuar, ose rreth 5 për qind më shumë se një vit më parë. Këtë vit kemi dhe 10 studentë ndërkombëtarë që i janë bashkuar programeve tona. Universiteti i Durrësit është i vetmi në rajon që aderon në rrjetin Stars EU dhe ofron 15 programe me diploma të dyfishta”, u shpreh Shkëlqim Fortuzi, rektor i UAMD-së.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Bajram Begaj theksoi rëndësinë e përkushtimit dhe të dijes në përballjen me sfidat e kohës moderne, ku teknologjia po ndryshon mënyrën e jetesës dhe të punës.
Presidenti Bajram Begaj u shpreh se “Çelësi i suksesit tuaj varet nga puna juaj dhe përkushtimi. Mos harroni familjen tuaj, familjen shqiptare. Ju po përballeni me sfidën e teknologjisë që ka ndryshuar mënyrën si jetojmë, dhe kjo kërkon dije të thella. Dija nuk është thjesht informacion, por një mjet që bën diferencën. Studioni për të ardhmen tuaj dhe kontribuoni në zhvillimin e Shqipërisë.”
Presidenti bëri thirrje edhe ndaj pedagogëve për të ofruar një arsim cilësor që i përgatit studentët për tregun e punës dhe për të ardhmen e vendit.
Një nga studentët e rinj ndërkombëtarë, turkja Bejaz, tha se zgjodhi UAMD-në për cilësinë e programeve dhe mundësitë që ofron.
“Jam nga Turqia dhe do të studioj në degën e Menaxhim Marketingut. Më pëlqen Shqipëria dhe më pëlqen atmosfera në këtë universitet.”
Top Channel