LIVE/ Masakra në Gjykatën e Apelit, si u vra gjyqtari Astrit Kalaja. Nga arrestimi, te dëshmia e autorit 30-vjeçar, çfarë dihet deri më tani

06/10/2025 21:00

Ka ndërruar jetë gjyqtari Astrit Kalaja i cili u qëllua me armë zjarri nga 30-vjeçari Elvis Shkambi brenda sallës së Gjyaktës së Apelit, Tiranë.

20:30 Ekzekutoi në krye të detyrës gjyqtarin e Apelit Astrit Kalaja, autori 30-vjeçar i qetë dhe i papenduar para policisë: E vrava sepse…

Në sallën nr.3 të gjykatës së Apelit në kryeqytet në orën 14.00 të kësaj të hëne nisi një seancë gjyqësore, ku gjyqtari me mbi 30 vite eksperiencë Astrit Kalaja lexoi vendimin për një konflikt pronësie dhe gjobë përmbarimi. Por, solemniteti i gjykatës u thye nga të shtënat me armë zjarri.

2 plumba nga një pistoletë u derdhën mbi gjyqtarin duke I marrë jetën. Elvis Shkambi, nipi i Gjon Shkambit palë në proces me familjen Kurtaj qëlloi mbi gjyqtarin dhe kundërshtarët e tij në proces duke pretenduar për vendim të padrejtë.

20:04 LAJM I FUNDIT/ U vra në krye të detyrës, reagon Gjykata e Apelit pas ekzekutimit me armë të gjyqtarit Astrit Kalaja

Gjykata e Apelit ka reaguar në lidhje me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në krye të detyrës gjatë kësaj të hëne.

“Sot gjyqtari Astrit Kalaja u vra në sallën e gjykimit. Kjo ngjarje e rëndë është një goditje jo vetëm për komunitetin e drejtësisë, por për të gjithë shoqërinë tonë.

19: 35 Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e Apelit pasi dha vendimin, reagon Këshilli i Lartë Gjyqësor

Këshilli i Lartë Gjyqësor u mblodh sot me datë 06.10.2025 për të mbajtur qëndrimin publik vijues:

Me dhimbje të thellë Këshilli i Lartë Gjyqësor mësoi për ngjarjen kriminale të vrasjes, në sallën e gjyqit, dhe në krye të detyrës të gjyqtarit Astrit Kalaja, Gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha ka siguruar dosjen që i është paraqitur Gjykatës së Apelit Tiranë, konkretisht gjyqtarit të ndjerë Astrit Kalaja, nga familja Shkambi, më 27 qershor 2025, ku parashtrojnë ankimimin kundër vendimit të gjykatës së Shkodrës për çështjen në fjalë.

Ky parashtrim është bërë dhe nënshkruar nga xhaxhai i autorit të vrasjes, Gjon Shkambi.

Ai i drejtohet Gjykatës së Apelit ndër të tjera me argumentimin se vendimi që Gjykata e Shkodrës ka marrë për këtë çështje, është skandaloz, dhe kërkonin rrëzimin në Apel dhe kalimin në favorin e familjes së tij.

Ky konflikt pronësie mes familjes Shkambi kundër 31 familjeve me ndihmë sociale në Shkodër, daton në vitin 2012.

Familja Shkambi ka pretenduar në këtë vit se është pronare e disa godinave në Shkodër, ku janë vendosur familjet në nevojë, me të cilat ishte në proces gjyqësor aktualisht. Familjet e tjera deklarojnë se janë vendosur aty që në vitin 1993, me urdhër të bashkisë Shkodër, në prona shtetërore.

19:29 Vrasja e gjyqtarit në sallën e Gjykatës së Apelit Tiranë, reagon Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri

Pas ngjarjes së rëndë, ku brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Apelit u qëllua për vdekje gjyqtari Astrit Kalaja, ka reaguar edhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri. Delegacioni deklaron se e dënon me forcë këtë akt kriminal, dhe vë theksin te siguria e nevojshme në sallat e gjyqit.

19:22 Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja/ Reagojnë familjarët që fituan në Apel çështjen e pronësisë kundër familjes Shkambi: Kemi jetuar nënë kërcënim

Përfaqësuesit e familjeve të godinave ku familja Shkambi pretendon se është pronare, kanë thyer heshtjen. Ata tregojnë se ndër vite familja Shkambi i ka kërcënuar. Ata thonë se të gjithë do të shkojnë në varrimin e gjyqtarit, ndërsa shtojnë se autori i kësaj vrasje është ish-kryebashkiaku Lorenc Luka, i cili sipas tyre i ka shitur në mënyrë të paligjshme pronën familjes.

18:53 Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, krimi jehonë në mediat ndërkombëtare

Mediat e huaja i kanë bërë jehonë krimit në Gjykatën e Apelit, ku u vra me armë zjarri gjatë seancës gjyqtari Astrit kalaja.

Një burrë hapi zjarr në një sallë gjyqi në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, të hënën, duke vrarë gjyqtarin dhe duke plagosur dy persona të tjerë, tha policia. Personi i armatosur iku nga vendi i ngjarjes, por u arrestua më vonë.

18:50 Del foto, ky është autori që vrau në sallën e Gjykatës së Apelit gjyqtarin Astrit Kalaja

Ky është autori që vrau në sallën e Gjykatës së Apelit gjyqtarin Astrit Kalaja, raporton gazetarja e Top Channel Dorjana Bezat.

“Prokuroria e Posaçme dënon me forcë vrasjen e paprecedentë të gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje që ndodhi brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit, Tiranë. I shprehim ngushëllimet tona familjes së gjyqtarit Kalaja, të afërmve dhe kolegëve të tij në këtë moment të dhimbshëm. Gjithashtu, shprehim solidaritetin tonë me të gjithë gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe punonjësit e sistemit të drejtësisë, të cilët përballen çdo ditë me sfida të mëdha në kryerjen e detyrës.

18:46 Ekzekutimi i gjyqtarit në sallën e Gjykatës së Apelit Tiranë, reagon Unioni i gjyqtarëve të Shqipërisë

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë shpreh tronditjen e thellë dhe dhimbjen e madhe për ngjarjen tragjike të ndodhur sot, ku një koleg ynë, gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, humbi jetën në krye të detyrës, pas një sulmi me armë zjarri, në sallë të gjyqit, nga një palë në një çështje civile, e cila plagosi dhe babë e bir nga pala tjetër ndërgjyqëse.

18:17 Katër plumba gjyqtarit sapo dha vendimin kundër familjes së tij, si ndodhi masakra brenda sallës së Gjykatës së Apelit, autori ishte…

Katër plumba janë lëshuar drejt gjyqtarit Astrit Kalaja, menjëherë pasi ai dha vendimin për një çështje pronësie, që ishte kundër familjes së autorit Elvis Shkambi. Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha bën me dije se autori 30-vjeçar e ka qëlluar me katër plumba brenda sallës sapo ka dhënë vendimin, ndërsa tre prej e kanë kapur gjyqtarin në gjoks.

18:15 Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, arrestohet edhe oficeri i sigurisë që qëndronte në hyrje të Gjykatës së Apelit

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, arrestohet edhe oficeri i sigurisë që qëndronte në hyrje të Gjykatës së Apelit

18:11 Vrasja e gjyqtarit brenda sallës së Gjykatës së Apelit, reagon Gjykata e Lartë

Trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë shpreh tronditjen dhe dhimbjen e thellë për ngjarjen tragjike që solli humbjen e jetës së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Astrit Kalaja, dhe përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e tij.

18:06 LAJM I FUNDIT/ Vrasja e gjyqtarit brenda sallës së Gjykatës së Apelit, reagon KLP

Reagimi:

Këshilli i Lartë i Prokurorisë është thellësisht i tronditur nga ngjarja e rëndë që goditi sot sistemin e drejtësisë dhe gjithë shoqërinë shqiptare, ku gjyqtari i Gjykatës së Apelit, z. Astrit Kalaja, u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit, gjatë ushtrimit të detyrës së tij.

18:03 LAJM I FUNDIT/ Vrasja e gjyqtarit brenda sallës së Gjykatës së Apelit, reagon Ministria e Brendshme

Reagim i ministres së Punëve të Brendshme, Albana Koçiu:

Thellësisht e tronditur nga lajmi i rëndë i vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit në Tiranë, Astrit Kalaja, dhe plagosja e dy qytetarëve, brenda sallës së gjykatës. Dënoj me forcë këtë akt barbar dhune dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e viktimës, kolegët e tij, duke u uruar shërim të shpejtë të lënduarve.

17:58 Kujdes, pamje të rënda! Ekzekutimi i gjyqtarit brenda sallës së Apelit, momenti ku nxirret me barelë trupi i Kalasë nga Gjykata

Këto janë momentet e rënda pa ngjarjes, kur trupi i tij nxirret me barelë nga salla e gjyqit, drejt ambulancës. Për fat të keq mjekët konfirmuan se ai ka arritur në spital pa shenja jete. Autor i ngjarjes është 30 vjeçari Elvis Shkambi.

17:54 Ngjarje e paralajmëruar/ Si u kërcënuan me jetë tre gjyqtare në sallën e gjyqit pasi dhanë vendimin

Në tetor të 2023 tre gjyqtare u kërcënuan në sallën e gjyqit. Më pas prokuroria nisi hetimet për kanosje për shkak të detyrës të gjyqtareve Valdete Hoxha, Lutfie Çelami dhe Edlira Petri, të cilat denoncuan sulmin dhe kërcënimet për jetën.

17:48 LAJM I FUNDIT/ Vrasja e gjyqtarit brenda sallës së Apelit, reagon Dhoma e Avokatisë

Te tronditur thellesisht nga ngjarja, lidhur me vrasjen ne ambjentet e gjykates te Gjyqtarit te Gjyjates se Apelit te Juridiksionit te Pergjithshem, kolegut dhe mikut Tone Astrit Kalaja,  trupa e avokateve i percjell familjes ngushellimet me te thella . Kjo ngjarrje eshte gjithashtu nje goditje per te gjith sistemin e drejtesise  dhe shtetit te se drejtes .

17:30 MASAKRA BRENDA GJYKATËS/ Reagon Rama: Siguria në gjykata, jo në dorë të policisë private, ashpërsim i Kodit Penal për armëmbajtjen pa leje

Edi Rama në “X”:

“Ngushëllime vëllazërore familjes së gjykatësit të ndjerë Astrit Kalaja dhe u prehtë në paqe  Agresioni kriminal mbi gjykatësin kërkon padyshim përgjigjen më ekstreme ligjore ndaj agresorit. Por kjo tragjedi kërkon një reflektim për sistemin e sigurisë së brendshme të gjykatave, e cila përveçse sipas ligjit kërkon disa pajisje teknologjike, nuk mund të mbetet një çështje zgjedhjeje mes policish private në emër të pavarësisë së gjyqësorit!

17:23 Ekzekutimi i gjyqtarit me armë zjarri në sallën e Apelit, reagon Prezenca e OSBE-së në Shqipëri

Reagimi::

Jemi thellësisht të tronditur dhe të hidhëruar nga të shtënat me armë brenda Gjykatës së Apelit në Tiranë, që i morën jetën gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosën dy persona të tjerë.
I shprehim ngushëllimet tona familjes dhe kolegëve të gjyqtarit Kalaja dhe u urojmë shërim të shpejtë të plagosurve.

17:20 VIDEO/ 30-vjeçari vrau gjyqtarin brenda sallës së Gjykatës së Apelit, çfarë deklaronte xhaxhai i autorit dy vite më parë pas denoncimit nga 31 familje në Shkodër

Gjon Shkambi është xhaxhai i autorit të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja sot në sallën e Gjykatës së Apelit, si dhe plagosjes së dy personave të tjerë, babë e bir.

Dy vite më parë atë e kishin denoncuar 31 familje në Shkodër, duke thënë se u kishte marrë shtëpitë. Pas këtyre akuzave ai kishte dalë publikisht me një deklaratë për mediart duke mohuar akuzat.

17:14 Vrau gjyqtarin brenda sallës së Gjykatës së Apelit, zbardhet dëshmia e autorit

Është zbardhur dëshmia e autorit të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalasë Brenda sallës së Gjykatës së Apelit. Siç mëson gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, në dëshminë e tij, autori pretendon se i është bërë padrejtësi në proces.

16:55 FOTO/ Vrasja e gjyqtarit në sallën e Gjykatës së Apelit, pamje nga vendngjarja

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, është qëlluar për vdekje ditën e sotme brenda sallës së gjyqit, ndërsa dy persona të tjerë mbetën të plagosur. Autori i arrestuar është 30-vjeçari, Elvis Shkambi.

16:53 Vrasja me armë zjarri në sallën e gjyqit, kush janë babë e bir që mbetën të plagosur gjatë atentatit ndaj gjyqtarit Astrit Kalaja

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur mesditën e sotme, ku brenda sallës së Gjykatës së Apelit në Tiranë, duke kryer detyrën, gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua me armë zjarri nga Elvis Shkambi. Dy persona të tjerë mbetën të plagosur nga kjo ngjarje, të cilët gjithashtu ndodheshin në sallën e gjyqit. Ata janë Rakip Kurtaj, 65 vjeç dhe Ervis Kurtaj, 45 vjeç, atë e bir.

16:43 Babë e bir mbetën të plagosur me armë zjarri në sallën e gjyqit, si paraqitet gjendja e tyre shëndetësore

Dy persona mbetën të plagosur gjatë ditës së sotme në sallën e gjyqit në Gjykatën e Apelit. Babë e bir janë të plagosurit, teksa kanë mbetur të plagosur në disa pjesë të trupit. Babai ka plagë të lehta në kraharor dhe këmbë, ndërsa i biri plagë të lehta në dorë. Gjyqtari Astrit Kalaja mbeti i vdekur si pasojë e plagëve të marra.

16:42 Vrasja e gjyqtarit brenda sallës, si i kaloi autorit ‘barrierat’ e sigurisë të Gjykatës së Apelit dhe zbrazi armën mbi Astrit Kalanë

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur mesditën e sotme, ku brenda sallës së Gjykatës së Apelit në Tiranë, duke kryer detyrën, gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua me armë zjarri nga Elvis Shkambi.

Por si arriti të futej brenda në sallë autori i armatosur, kur në këtë institucion, si në çdo institucion tjetër, kalohet nëpër disa kontrolle fizike dhe me detektor metalik?

Mister mbeten edhe arsyet që çuan në eliminimin fizik të gjyqtarit, dhe plagosjen e dy persona të tjerë që ndodheshin në sallë, babë e bir.

16:40 Ekzekutimi i gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, reagon presidenti Begaj: Atentat makabër ndaj vetë sistemit

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka reaguar menjëherë pas kësaj ngjarje, duke e cilësuar si një akt makabër ndaj sistemit.

“Jam thellësisht i tronditur dhe dënoj me gjuhën më të ashpër aktin e pa tolerueshëm të vrasjes në krye të detyrës të gjyqtarit Astrit Kalaja.

16:36 Detajet nga vrasja e Astrit Kalasë, gjyqtari kishte plagë në kraharor, mbërriti në spital pa shenja jete

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë pasdite në Gjykatën e Apelit, ku pas një atentati me armë, mbeti i vdekur gjyqtari Astrit Kalaja.

Burime për Top Channel bëjnë me dije se gjykatësi kishte plagë në kraharor dhe mbërriti pa shenja jete në spital.

Autori, Elvis Shkambi, është vënë menjëherë në pranga nga policia, i cili gjithashtu plagosi dhe dy persona të tjerë, babë e bir.

16:18 U qëllua për vdekje në sallën e gjyqit, kush ishte gjyqtari Astrit Kalaja

Kush ishte Astrit Kalaja?

Astrit Kalaja ishte anëtar i zgjedhur për të tretën herë në Kolegjin Zgjedhor. Ai ka lindur në qytetin e Shkodrës dhe u diplomua në vitin 1993 në fakultetin e Drejtësisë. Sapo mbaron studimet me titullin “Jurist”, emërohet në detyrën e gjykatësit në rrethin e Shkodrës.

Shtatë vitet e fundit ushtron detyrën e anëtarit të gjykatës së Apelit, çka e dërgon në 18 numrin e viteve që e lidhin me sistemin e drejtësisë. Në kuadër të procesit të Vettingut, ai u rikonfirmua në detyrë dhjetor të 2019.

16:15 Zbardhet emri i autorit që qëlloi në sallën e gjykatës gjyqtarin Astrit Kalaja

Elvis Shkambi është autori i arrestuar i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosjen e dy personave të tjerë. Ai qëlloi me armë brenda sallës së gjyqit, duke i marrë jetën gjyqtarit, ndërkohë dy të plagosurit e tjerë janë babë e bir, jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë pas ngjarjes autori është vënë në pranga nga policia.

16:10 Vrasja me armë zjarri në Apel, arrestohet autori, sekuestrohet edhe arma

Një person i identifikuar si Elvis Shkambi është vënë në pranga. Ai vrau me armë zjarri ditën e sotme në sallën e gjyqit në Apel, gjykatësin Astrit Kalaja. Arma e krimit është sekuestruar menjëherë pas krimit. Përveç viktimës, të plagosur kanë mbetur edhe dy persona, babë e bir.

15;50 Vrasja me armë zjarri në Gjykatën e Apelit, detaje nga ngjarja e rëndë! Babë e bir mbeten të plagosur

Detaje të reja janë zbuluar nga vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja me armë zjarri në Gjykatën e Apelit. Dy persona të tjerë, babë e bir, kanë mbetur të plagosur. Autori është arrestuar, njëkohësisht arma e krimit u sekuestrua.

Top Channel