Berisha nis negociatat me aleatët për Florjan Binajn. Lapaj dhe Duka e mbështesin, Shehaj ende pa reagim

06/10/2025 14:50

Pak çaste pasi Sali Berisha zyrtarizoi mbështetjen ndaj Florian Binajt si kandidat për zgjedhjet bashkiake në Tiranë, janë mbledhur aleatët opozitarë.

Fatmir Mediu sapo mbërriti në Partinë Demokratike, ndërsa i pyetur nga gazetarja e Top Channel Elda Menga nëse do ta mbështesë kandidatin Binaj, Mediu tha se do e komentojë pas mbledhjes.

Belind Këlliçi nga ana tjetër ka nisur bisedimet me Agron Shehaj. Kreu i Partisë Mundësia është më skeptiku për kandidaturën, pasi mbështet Ermal Hasimjan.

Ndërkohë burimet bëjnë me dije edhe Partia e Lirisë e mbështet kandidaturën e Florian Bianj, e po ashtu Adriatik Lapaj i ‘Shqipëria Bëhet’.

“Inkurajojmë qytetarë të tjerë të angazhuar në bashkitë ku ka zgjedhje të shpallin kandidimin si të pavarur. Lëvizja “Shqipëria Bëhet” do t’i mbështes. Ja kështu demokratizohet vendi. Pak nga pak. Partitë duhet të jenë instrumente që e shtyjnë shoqërinë përpara“-shkruan Lapaj.

Ndërkohë, aleati i opozitës dhe kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste (PAA), Agron Duka, e ka mbështetur idenë e kryedemokratit, duke e quajtur Binajn si zgjedhjen e duhur për këto zgjedhje.

“Partia Agrare Ambientaliste (PAA) vlerëson pozitivisht kandidaturën e Florjan Binajt, të mbështetur nga Partia Demokratike, për drejtimin e Bashkisë së Tiranës.

Z. Binaj përfaqëson një profil qytetar dhe intelektual aktiv, i angazhuar në mbrojtjen e interesit publik, të mjedisit dhe cilësisë së jetesës.

PAA e sheh pjesëmarrjen e tij si një alternativë ndryshe, që sjell frymë bashkëpunimi dhe përfaqësim dinjitoz të qytetarëve.

Ne besojmë se bashkimi i forcave opozitare rreth figurave me integritet dhe përgjegjësi është rruga e duhur për të rikthyer besimin e qytetarëve në politikë dhe administrim lokal”, shkruan Duka.

Top Channel