Kapen me doza kanabisi me qëllim shitjen, arrestohen tre të rinj në Kamëz, mes tyre një i mitur

05/10/2025 11:10

Tre persona, mes tyre një i mitur, janë arrestuar në flagrancë nga Policia e Tiranës gjatë operacionit antidrogë të koduar “Collaboration”.

Ata u kapën në zonën e Kamzës me një sasi kanabisi që dyshohet se e posedonin për shitje, ndërsa gjatë kontrollit u sekuestruan rreth 700 gram lëndë narkotike dhe 3 aparate celular.

Njoftimi:

Tiranë/Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, operacioni policor i koduar “Collaboration”.

U kapën në flagrancë me një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, që e posedonin me qëllim shitjen në zonën e Kamzës, vihen në pranga 3 shtetas.

Sekuestrohen rreth 700 gram lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe 3 aparate celular.

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se tre shtetas posedonin një sasi lënde narkotike që do ta shisnin në zonën e Kamzës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Collaboration”.

Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: S. C., 22 vjeç, R. Gj., 22 vjeç dhe një shtetas i mitur, 17 vjeç.

Shërbimet e Policisë lokalizuan tre shtetasit në rrugën “Azem Galica”, Kamëz, të cilëve iu gjet një sasi lënde narkotike kanabis, që dyshohet se e posedonin me qëllim shitjen në këtë zonë. Nga hetimet ka rezultuar se lënda narkotike është siguruar nga shtetasi S. C.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 17-vjeçarit, u gjet dhe u sekuestrua një tjetër sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel