Policia ka zbardhur detaje të reja lidhur me makinën e djegur të gjetur një ditë më parë në afërsi të një impianti për përpunimin e inerteve në Tapizë.

Brenda automjetit tip “Peugeot”, i cili ishte shkrumbuar plotësisht, u gjetën dy armë zjarri automatike dhe një krehër.

Sipas njoftimit zyrtar, nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se kjo makinë dyshohet të jetë përdorur nga autorët e një ngjarjeje të ndodhur më 3 tetor 2025, në rrugën “Besim Cera” në Tiranë. Në murin rrethues të banesës së shtetasit Qazim Kupa, i cili jeton jashtë vendit, janë konstatuar dëmtime të shkaktuara nga të shtëna me armë zjarri.

“Në vijim të informacionit të dhënë dje, ku në afërsi të një impianti për përpunimin e inerteve, në Tapizë, u gjetën dy armë zjarri automatike dhe një krehër, brenda një automjeti tip “Peugeot”, të djegur plotësisht, bëjmë me dije se: Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ky automjet dyshohet të jetë përdorur nga autorët e ngjarjes së ndodhur me datë 03.10.2025, në rrugën “Besim Cera”, ku në murin rrethues të banesës së shtetasit Qazim Kupa (i cili banon jashtë shtetit) janë konstatuar dëmtime të shkaktuara nga përdorimi i armës së zjarrit. Ngjarja e ndodhur është konstatuar ditën e djeshme pas hetimeve dhe verifikimeve intensive të kryera nga grupi hetimor. Punohet intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Top Channel