Shtohen kërkesat për mamografi, Spitali Rajonal i Fierit përballet me fluks pacientësh

04/10/2025 17:01

Spitali Rajonal i Fierit po përballet këto ditë me një fluks të shtuar të grave dhe vajzave që kryejnë mamografinë.

Sipas mjekes onkologe Anisa Mone, megjithëse sensibilizimi për depistimin e hershëm bëhet gjatë gjithë vitit, shifrat e të diagnostikuarve me kancer gjiri janë gjithnjë në rritje.

Mjekja thekson se ndër faktorët kryesorë që nxisin shfaqjen e kësaj sëmundjeje janë: jeta sedentare, kequshqyerja, lindjet në moshë të madhe, mosushqyerja e fëmijëve me gji, predispozita gjenetike, si dhe neglizhenca për ta kapur kancerin në fazat e para.

Grupmosha më e prekur mbetet 50 deri në 70 vjeç, por fatkeqësisht nuk mungojnë rastet edhe në moshat më të reja, madje janë evidentuar edhe tre raste tek meshkujt.

Përveç rritjes së rasteve me kancer gjiri, në spital vërehet gjithashtu shtim i të gjitha llojeve të sëmundjeve malinje. Një pjesë e vogël e pacientëve nuk kanë arritur të fitojnë betejën me sëmundjen, pasi ajo është zbuluar në stade të avancuara.

Prej katër vitesh, në Spitalin Rajonal të Fierit ofrohet edhe shërbimi i kimioterapisë, duke u krijuar mundësinë pacientëve të trajtohen në vend, pa pasur më nevojë të udhëtojnë drejt Tiranës.

 

 

Top Channel