
Për 30 vite, asnjë leje ndërtimi nuk do të jepet në zonat e pyllëzuara që do të përfshihen nga zjarret.
Është ky paralajmërimi që kreu i qeverisë Edi Rama bëri sot në takimin me shërbimet zjarrfikëse.
Rama tha se ata që vendosin zjarre, në disa raste bëhet me efekt që të krijohet zonë ndërtimi. Ai ka njoftuar po ashtu se do shtrëngohen masat ligjore për ata që kapen duke vënë zjarre.
“Do bëj një vlerësim të veçantë për Policinë e Shtetit për faktin që në këtë sezon më shumë dhe më mirë se në sezonet e tjera dhe pse ishte sezoni më i vështirë, Policia e Shtetit ka qenë në gjendje të identifikojë dhe të arrestojë psikopatë dhe kriminelë që vënë zjarre dhe besoj shumë që fakti që ky sezon solli kaq përmirësim në këtë aspekt dhe këtu kemi një hapësirë për të rritur forcën goditëse të Policisë së Shtetit, për të rritur kapacitetet për parandalim pikërisht duke bërë që sot një punë operative në territore për të identifikuar personat potencialisht të rrezikshëm sepse këta që vënë zjarre siç duke kanë dhe disa karakteristika të veçanta si personalitete.
Ndërkohë që, kemi bërë një ndërhyrje ligjore shumë të rëndësishme që aty ku vihet zjarr do të ndalohet çdo lloj leje ndërtimi për 30 vjet, pra nëse një territor i cili është si të thuash hap oreks për të ndërtuar, digjet, për 30 vjet aty nuk do jepet leje ndërtimi.
Që ta kenë të qartë të gjithë që djegia nuk të sjell në kushtet që ti pastaj të vish të thuash nuk është pyll, nuk ka pemë aty kështu që kjo është toka ime dhe unë dua të ndërtoj. 30 vjet do të ndalohet dhënia e lejes së ndërtimit dhe ai territor do të rimbillet dhe për këtë jemi duke punuar me ministrinë e Mbrojtjes dhe për të sjellë dhe dronet mbjellës që janë një forcë e re e teknologjisë që ndihmojnë në ripërtëritjen e territoreve të djegura, gjë për të cilën është përfshirë dhe Ministria e Mjedisit drejtpërdrejtë”, deklaroi ai.
Top Channel