
Personi që shihni në foto është 65-vjeçari Gjergj Tusha, i cili një ditë më parë u gjet i vdekur në Tale të Lezhës.
Siç raportoi një ditë më parë Top Channel, viktima përgjatë viteve të fundit ishte pajisur me tre urdhër-mbrojtje nga i biri.
Trupi i pajetë i Tushës u gjet nga policia në breg të lumit të Matit, me shenja dhune dhe një plagë në trup, që nuk janë shkaktuar nga armë zjarri.
65-vjeçari u raportua i humbur nga vajza e tij, gjatë pasdites së djeshme, dhe pas disa orësh kërkime, policia e gjeti të dhunuar dhe vrarë.
Korrespondentja e Top Channel Brixhilda Deda bën me dije se paraprakisht dyshohet se vdekja e tij ka qenë aksidentale.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, vdekjen dyshohet t’i jetë shkaktuar nga goditja e një demi, i cili dyshohet se e ka përplasur në pemë.
Ai ka marrë plagë në kofshë dhe në pulpa.
Njoftimi i policisë:
Përfundon ekspertiza mjeko-ligjore për përcaktimin e plagëve në trupin e shtetasit Gj. T., i cili u gjet i pajetë pasditen e djeshme, në afërsi të lumit Mat.
Nga ekspertiza mjeko-ligjore në trupin e 65-vjeçarit nuk janë konstatuar plagë të shkaktuara nga armë zjarri apo mjete prerëse.
Në vijim të informacionit të dhënë për gjetjen e trupit të pajetë të shtetasit Gj. T., banues në fshatin Pllanë, Lezhë, në afërsi të lumit Mat, ku nga këqyrja paraprake u dyshua se në trupin e tij kishte plagë të shkaktuara nga armë zjarri, sqarojmë se:
Nga veprimet e para hetimore të kryera ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur në fshatin Pllanë, Njësia Administrative Zejmen, Bashkia Lezhë, ku shtetasi Gj. T. ka qenë duke kullotur bagëtitë.
Grupi i posaçëm hetimor ka kryer një sërë veprimesh hetimore e procedurale, si këqyrjen e vendit të ngjarjes, këqyrjen e kufomës, këqyrjen e pamjeve filmike, marrjen e deklarimeve, vendimet e ekspertimit, etj.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të deritanishme, dhe veçanërisht nga këqyrja e kufomës, ka rezultuar se dëmtimet e konstatuara në trupin e shtetasit Gj. T. nuk janë shkaktuar nga armë zjarri apo mjete prerëse.
U kryen veprimet e para hetimore dhe materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për hetime të mëtejshme në lidhje me këtë ngjarje, e dyshuar aksidentale.
Top Channel