
Banorët e fshatrave Tragjas, Orikum, Dukat dhe Radhimë u mblodhën pasditen e së premtes për të diskutuar mbi problemet e zonës së tyre, në një takim që ata e quajtën “Kuvendi Komunitar i Krahinës”.
Banorët ndanë shqetësimet dhe diskutuan mbi veprimet e fundit të institucioneve. Sipas tyre, një grup i IKMT-së u ka lënë afat gojarisht që brenda tetorit të largojnë vetë lokalet në Orikum dhe në Llogara.
“Këtë kuvend e kam krijuar për t’u bërë bashkë banorët e krahinës. IKMT-në do ta thyejmë, dhe nëse duhet, edhe me përplasje fizike. Fillimisht do të ecim me peticion dhe kallëzime në drejtësi, por duhet të jemi të përgatitur të krijojmë struktura që do të përballen fizikisht me uniformat e policisë për të mbrojtur pronat tona”, tha Edvioll Kulluri.
Banorët thanë gjithashtu se ka pasur falsifikim të certifikatave të pronësisë, duke ua marrë tokat banorëve dhe duke i regjistruar në emër të personave me ndikim që nuk kanë asnjë lidhje me zonën.
“Prishja e objekteve nuk bëhet për një shëtitore, por për të ndërtuar resorte. Kjo do të thotë që banorët nuk do të kenë më mundësi të zhvillojnë bizneset e tyre në bregdet.”
Në fund të takimit, banorët firmosën një peticion për funksionimin e Kuvendit Komunitar dhe krijuan grupe pune për të vijuar aksionet. Ata ranë dakord të mblidhen sërish ditën e dielë për të vendosur mbi hapat e ardhshëm dhe protestat.
Top Channel