“Do shtrëngojmë masat ligjore për zjarrvënësit”, Rama: Kush humbi banesat dhe krerët e bagëtive nga flakët, do dëmshpërblehet qindarkë për qindarkë

04/10/2025 09:52

Kryeministri Edi Rama së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu dhe ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu dhe Ervin Demo, ministër Shteti për Pushtetin Vendor, morën pjesë sot në aktivitetin për kapitullin e ri të mbrojtjes civile nëpërmjet transformitit të Forcës zjarrfikëse dhe inovacionit.

Rama u shpreh se të gjithë ata që kanë humbur shtëpitë nga zjarret, apo krerët e bagëtive, do të dëmshpërblehen.

Ai njoftoi se sigurimi i banesave dhe bizneseve nga fatkeqësitë natyrore, do të sanksionohet edhe me ligj. Po ashtu shtoi se sa i përket zjarreve të vënë nga njerëzit, do të shtrëngohen masat ligjore.

“Kush ka humbur banesa apo krerë bagëtish, të jenë të qetë sepse do të dëmshpërblehen qindarkë për qindarkë. Të gjithë të mendojnë dhe të marrin masa për përfshirje në skemën e sigurimit të shtëpive për fatkeqësitë natyrore, do ta sanksionojmë edhe me ligj këtë.

Edhe bizneset duhet të sigurohen, sepse ndryshimet e klimës po sjellin pranë pragut të shtëpisë, sfidat e fatkeqësive natyrore, përmbytjet dhe zjarret. Për zjarrvënësit do kemi një shtrëngim të ri ligjor”, tha Rama.

Kreu i qeverisë paralajmëroi se për sektorin e zjarrfikëses do të ketë një rritje page, pasi siç tha ai “jemi në borxh me ta” për punën që kanë bërë.

Top Channel