Bletët përgatiten për dimërim, bletarët: Mjalti të çertifikohet, më shumë kontroll ndaj kimikateve dëmtuese

04/10/2025 16:41

Në Fier ka nisur periudha e përgatitjeve për dimërimin e zgjojeve, një fazë shumë e rëndësishme për bletarët, e cila ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e bletëve dhe në prodhimin e mjaltit gjatë pranverës.

Pas një vere me temperatura të larta dhe kushte të vështira, bletarët po kujdesen që kolonitë të hyjnë sa më të forta në dimër.

Në disa zona të jugut, si Tepelena dhe Mallakastra, bletarët janë mbledhur për të shkëmbyer eksperienca dhe për të bashkëpunuar në trajtimin e zgjojeve. Ata shprehen se falë punës dhe kujdesit të shtuar, ky sezon ka qenë më i mirë se vitet e kaluara.

“Jemi në fazën e përgatitjeve për dimërim. Këtë vit, ndonëse ka pasur shumë vapë, e kemi përballuar mirë falë punës dhe bashkëpunimit mes nesh”, thotë Ferdinant Gega.

Bletarët thonë se ky sezon ka qenë ndër më premtuesit për prodhimin e mjaltit, ndërsa kujdesi ndaj sëmundjeve që prekin bletët mbetet prioritet.

Po trajtojmë bletët për t’i mbrojtur nga varroatoza dhe nozema. Këshilloj të gjithë bletarët të përdorin vetëm preparate të licencuara dhe të konsultohen me veterinerë”, tha Ferdinant Muskaj.

Bletarët kërkojnë që institucionet shtetërore të rrisin kontrollet për preparatet që qarkullojnë në treg, pasi shumë prej tyre nuk janë të licencuara dhe dëmtojnë si shëndetin e bletëve, ashtu edhe cilësinë e mjaltit. Ata apelojnë që Ministria e Bujqësisë të krijojë një sistem të qartë certifikimi për prodhimin vendas, në mënyrë që mjalti shqiptar të mund të eksportohet drejt tregjeve të Bashkimit Europian.

Top Channel