Transformimi i Shkodrës, kryeministri Rama: Muzeu i Lundrimit do ta shndërrojë hyrjen e qytetit në një zonë moderne

03/10/2025 08:09

Kryeministri Edi Rama ka ndarë mëngjesin e sotëm një video nga kantieri i ndërtimit të Muzeut të Lundrimit në Shkodër, një projekt ambicioz që synon të kthejë hyrjen e qytetit në një hapësirë moderne dhe funksionale.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Rama tha se ky muze, së bashku me portin dhe parkun e rekreacionit, do të transformojnë këtë zonë të rëndësishme të qytetit verior, duke i dhënë Shkodrës pamjen dhe zhvillimin që meriton.

“MIRËMËNGJES 😊 dhe nga kantieri i Muzeut të Lundrimit në Shkodër, një investim që, së bashku me portin dhe parkun e rekreacionit, do ta shndërrojë hyrjen e qytetit në një zonë moderne e të zhvilluar, siç i ka hije Shkodrës, ju uroj një ditë të mbarë,” – shkroi Rama.

Muzeu i Lundrimit pritet të rikthejë në vëmendje historinë detare dhe lidhjen e Shkodrës me liqenin, ndërsa parku i ri dhe porti do të ofrojnë më shumë hapësira për qytetarët dhe vizitorët.

Top Channel