Protestë “kundër shegëve” në Levan, banorët: Po na marrin tokat e “7501”

03/10/2025 13:09

Dhjetëra banorë të fshatit Bashkim në njësinë administrative Levan të Fierit, janë ngritur në një protestë prej mëngjesit me pretendimin se po u grabiten tokat nga një kompani private e cila prej 7 vitesh zotëron një plantacion me shegë në territorin e tyre, të miratuar nga Ministria e Bujqësisë.

Ata shprehen të indinjuar se përveç tokave djerrë që ata i përdornin për kullota dhe një pjesë të pyllit, tashmë kompania në fjalë po kërkon të zaptojë edhe tokat që fermerët i kanë marrë me vendim gjykate dhe sipas ligjit 7501.

Përballë kësaj situate banorët thonë se nuk janë pyetur asnjëherë dhe madje situata ka degraduar deri në përplasje fizike. Të ndodhur në këto kushte ata kërkojnë ndërhyrjen urgjente të institucioneve përgjegjëse për sqarimin e situatës. Sipas tyre, rreth 60-70 ha tokë është zaptuar padrejtësisht nga viti në vit, ndërsa janë më shumë se 150 familje që preken.

Një përfaqësi e këtyre fermerëve kanë denoncuar rastin edhe në policinë e Fierit.

Top Channel