
Kryeministri Edi Rama, ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu dhe ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari mbajtën sot një konferencë me gazetarët në Kryeministri.
Sa i përket sektorit të ndërtimeve, Rama paralajmëroi se arkitektët që do të merren me ndërtimet, do të kenë përgjegjësi ligjore nëse devijojnë nga plani që mund t’u kërkohet nga ndërtuesit.
Më tej ai tha se asnjë pronar shtëpie që nuk ka ende dokumentacionet përkatëse nuk do të futet në banesë.
Një tjetër pikë ku do të ketë ndryshime, janë hapësirat publike.
“Ky bllok hynë te ligji për kontrollin e punimeve të ndërtimit. Ndërkohë kemi një tjetër bllok, që është blloku i ndryshimeve në ligjin për planifikim dhe zhvillimin e territorit, ku janë rregullimi dhe regjistrimi i hapësirave publike.
Deri sot nuk ka qenë rregulli i regjistrimit të hapësirës publike, sot me këtë masë të re hyn në fuqi si një detyrim ligjor. Kur kemi një zhvillim të caktuar mbi një pronë private, për një godinë e cila u jepet një numri të caktuar familjesh apo biznesesh, çdo metër katror rreth e rrotull nuk është më pronë private, por publike.
Të jenë të qartë ata që sot janë zaptues, por dhe ata gjykatës që në rastin më të mirë nga injoranca dhe më të keq nga para, mbyllin sytë dhe japin masa sigurimi padije, apo dhe të drejtë”, u shpreh Rama.
Top Channel