
Gjatë konferencës për shtyp, kryeministri Edi Rama u pyet nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, për lirimin e hapësirave publike në vend.
Kreu i qeverisë u ndal te mos heqja e karrigeve duke thënë se është një luftë e përditshme dhe se tani rëndësi ka t’i shkohet deri në fund çmontimeve.
Pyetje: Prej dy muajsh kemi parë dhe raportuar për aksionin për lirimin e hapësirave publike, heqjen e tendave, ndërkohë që karriget vijojnë të jene prezentë? Kur do publikohet kjo rregullore?
Rama: E dëgjoj shpesh këtë të karrigeve është një luftë e përditshme, disiplinimi i karrigeve do të bëhet me rregullore. Kemi punuar me një grup të madhe pune, do të hyhet edhe në këtë pikë.
Kini parasysh që edhe për karriget, çështje interpretimi është. Rëndësi ka që t’i shkojmë deri në fund çmontimeve që paskan qenë pafund. T’u japim mundësi të gjithë atyre që kanë aktivitetet që mund të ushtrojnë aktivitete dhe jashtë derës, por në një hapësirë të përcaktuar siç e kanë qytetet evropiane. Pra sa % e trotuarit të takon ty dhe sa i takon publikut. Dhe të bëjmë diçka që të jetë në lartësinë e duhur.
Top Channel