Princi William ka deklaruar se “ndryshimi është në axhendën e tij, për të mirë”, kur të bëhet mbret.

Në një nga intervistat e tij më personale deri më tani, Princi i Uellsit shpalosi qasjen e tij ndaj monarkisë në një bisedë me Eugene Levy, gjatë një episodi të serialit të Apple TV+, The Reluctant Traveler, xhiruar në Kështjellën Windsor.
“Dua të krijoj një botë në të cilën djali im është krenar për atë që bëjmë – një botë dhe një punë që ndikon vërtet në jetën e njerëzve për mirë”, tha William.

Djali i tij i madh, Princi George, i cili festoi 12-vjetorin në korrik, pritet ta pasojë një ditë si mbret. Ndërkohë, djali i vogël, Princi Louis, është 7 vjeç dhe vajza, Princesha Charlotte, është 10 vjeç.

William zbuloi se fëmijët e tij nuk përdorin ende telefona celularë, dhe la të kuptohet se dëshiron të mbrojë fëmijët nga përvojat e vështira që ai dhe vëllai i tij, Princi Harry, përjetuan në fëmijëri — një referencë e mundshme ndaj vëmendjes së tepruar mediatike dhe ndjekjes nga paparacët që e shoqëroi edhe nënën e tyre, Princeshën Diana.

Duke folur për median “e pangopur” që e ndoqi gjatë rritjes, William tha: “Ata donin çdo detaj që mund të përthithnin. Ishin në çdo gjë, fjalë për fjalë kudo. Ata dinin shumë gjëra dhe ishin gjithmonë aty.”

Ai shtoi: “Dhe nëse e lejon këtë të të hyjë në jetën tënde, dëmi që mund t’i shkaktojë familjes është diçka që u betova se nuk do t’i ndodhte kurrë familjes sime.”

Lidhur me qasjen e tij për ndryshim, William theksoi: “E përqafoj dhe e shijoj ndryshimin – nuk kam frikë prej tij. Kjo është pjesa që më emocionon. Ideja se mund të sjellësh disa ndryshime, jo ndryshime tepër radikale, por ato që janë të nevojshme.”

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e traditës: “Tradita ka një rol të rëndësishëm dhe duhet të ruhet, por është gjithashtu e rëndësishme të pyesim: ‘A është ende e përshtatshme për kohën në të cilën jetojmë? A po japim ende ndikimin më të madh që mundemi?’”

Kur u pyet nga Levy nëse mendon shpesh për momentin kur do të bëhet mbret, William u përgjigj: “Nuk është diçka për të cilën zgjohem në mëngjes dhe mendoj. Për mua, të jem autentik, vetvetja dhe i sinqertë është ajo që më motivon.”

Ai shtoi: “Mund të më vihen çfarëdo etiketash apo rolesh, por nëse nuk jam besnik ndaj vetes dhe asaj në të cilën besoj, atëherë nuk ka shumë rëndësi se kush je – gjithçka humbet.”

Në fund, ai përmbylli: “I marr përgjegjësitë e mia seriozisht, por është e rëndësishme të mos ndjesh se ato të zotërojnë ty – ti duhet t’i zotërosh ato.”

Top Channel