
Në emisionin e të gjithë shqiptarëve “Për Shqiptarët” ishte Matilda, e cila risolli në studio historinë e djalit të saj, Valdrinit.
Valdrini i vogël lindi 5 muajsh dhe ishte mrekulli sipas mjekëve që arriti të mbijetojë. Por mushkëritë e vogëlushit u prekën nga një sëmundje, duke e çuar Valdrinin sërish në intubim.
Matilda rrëfen mes lotësh sprovën e saj më të madhe dhe atë dritë në fund të tunelit që e besoi nga fillimi deri në fund. Ajo dritë thotë ajo, ka emrin e bamirësisë së shqiptarëve.
“Kur mora vesh se djali u intubua përsëri, e se doktorët na prenë shpresat… ishte një traumë e dyfishtë për mua si nënë e për tim shoq. Thellë thellë, një zë më thoshte se Valdrini do t’ja dalë.
Madje më kujtohet, doktorëve i kam thënë. Doktorët më thonin nuk ka shpresa, por unë i thashë, e kam prekur njëherë mrekullinë me duart e mia kur Valdrini i mbijetoi lindjes në muajin e pestë dhe jam e bindur se do ta prek sërish.
Sa herë shkoja në inkubator, pavarësisht se zemra e zëri im dridhej, i lutesha Zotit. Thoja këtë. O Zot, djalin po e lë në duart e tua. Nëse do ma falësh si fëmijë, unë do ta pranoj ashtu siç është.
Ne kemi trokitur në dyert e Fondacionit Firdeus, që faleminderit Zotit, na i hapën dyert që në fillim dhe ja ku jemi sot, me Valdrinin e shëruar. Ditën kur ika për kurimin e Valdrinit jashtë shtetit, e kujtoj si një ditë të lumtur. E dija se shumica e rasteve kishin dalë me sukses. Doja veç t’i falenderoja pafund të gjithë, shqiptarët që dhanë për djalin tim.
Ishte hera e parë që unë fluturoja në avion… më çoi djali. Ika me një shpresë shumë të madhe dhe atje realisht kam qenë si në një ëndërr. Por për vajzat ka qenë një peng. E vogla qante çdo ditë për mua. Merrte bluzën dhe i merrte erë, më kërkonte. I thoja o mam, do të bëjmë sakrificë për vëllain, që të vijë dita që ne të jemi përsëri bashkë dhe të lumtur.”-tregon Matilda.
Top Channel