Shpërthimi me lëndë plasëse në një servis automjetesh në Krujë, arrestohet 34-vjeçari

02/10/2025 10:37
Foto Ilustruese

Është identifikuar dhe arrestuar autori që vendosi lëndë plasëse në një servis automjetesh në fshatin Luz të Tiranës katër ditë më parë.

Top Channel mëson se në pranga ka rënë shtetasi Ervin Shera. Tritoli iu vendos biznesit të shtetasit Alfred Gurra.

Uniformat blu kanë sekuestruar mjetin që dyshohet se është përdorur në këtë ngjarje, si dhe celularin e Sherës.

Njoftimi:

Krujë/Vijojnë hetimet për zbardhjen e autorësisë së vënies së lëndës plasëse në një servis automjetesh, në fshatin Luz, 4 ditë më parë.

Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 34-vjeçari që dyshohet se ka vënë lëndën plasëse në qepenin e servisit të automjeteve.

Sekuestrohen motomjeti që dyshohet se ka përdorur 34-vjeçari në këtë ngjarje dhe celulari i tij.

Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në servisin e automjeteve në pronësi të shtetasit A. G., në fshatin Luz, strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Krujë mundësuan identifikimin, lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasit:

-E. Sh., 34 vjeç, banues në fshatin Zezë.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, më datë 28.09.2025, ka vënë lëndë plasëse në qepenin e servisit të automjeteve të shtetasit A. G. Nga shpërthimi janë shkaktuar dëme të vogla materiale.

Vijojnë hetimet për përcaktimin e motivit të ngjarjes.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel